PD depoziton pr/ligjin për Vetting-un e politikanëve! Basha: Votojeni, të tregojmë kush janë të korruptuarit
Vetting-un në politikë, kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha e ka kauzë, dhe sot ka deklaruar se ka depozituar në Kuvend projektligjin për këtë gjë. Nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook, Basha shprehet se në propozim përfshihet kontrolli i detajuar i pasurisë së politikanëve dhe rrethit të tyre familjar si dhe të lidhjeve që mund të kenë me krimin e organizuar.
“Kam depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për Vettingun e politikanëve. Ashtu siç pata njoftuar para disa javësh, grupi i punës në PD, kanë bërë gati një projektligj që mundëson kontrollin e detajuar të pasurisë të çdo politikani të rrethit të tij familjar dhe shoqëror si dhe mundësitë e bashkëpunimit me krimin e organizuar”,-tha Basha.
Në mbyllje të video-mesazhit, Basha u kërkoi deputetëve që ta votonin në Kuvend projektligjin që sipas tij do të tregojë se cilët politikanë janë të korruptuar dhe duhet të largohen nga politika.
”Projektligji është depozituar, nuk ka më asnjë alibi. Është momenti që nëpërmjet votës së tyre çdo deputet të shprehen dhe të mos fshihen. Përmes votës për vettingun e politikanëve t’u tregojmë shqiptarëve se kush janë politikanët e korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar që duhet të largohen”,-tha më tej Basha.