PD: Deputeti Pirro Kapurani ka 205 milionë lekë detyrime, Rama hesht

Partia Demokratike i rikthehet akuzave ndaj Qeverisë në lidhje me atë që e konsideron si dy standardet e përdorura ndaj abuzuesve të energjisë elektrike.

Në një deklaratë për mediat deputetja Albana Vokshi theksoi se ndërsa qytetarët e pamundur janë në errësirë ose në burg për dhjetë mijë lekë të vjetra, deputeti biznesmen Pirro Kapurani, pronar i fabrikës së tjegullave dhe tullave, nuk preket edhe pse ka 205 milionë lekë energji të papaguar

"Shiheni këtë faturën e energjisë. Subjekti në fjalë ka 205 milionë lekë detyrime ndaj shtetit. Eshtë fabrikë tjegullash dhe tullash në Korcë.

Cfarë ka ndodhur me pronarët? A janë përballur ata me ligjin? A u është ndërprerë energjia?

Jo nuk ka ndodhur asnjëra nga këto sepse njëri nga pronarët, më kryesori, Pirro Kapurani, është në parlament. Eshtë miku i Edi Ramës, dhe Ilir Metës, është sponsori i fushatës së tyre, dhe është aktualisht deputet i LSI-së.

Nuk vepron njësoj për të gjithë ligji me Edi Ramën, kjo është kuptuar tashmë. Detyrimit 205 milionë lekësh, i është shtuar edhe fatura e dhjetorit që është afërsisht 17 milionë lekë. Kjo tregon se fabrika e tjegullave të mikut të Edi Ramës dhe Ilir Metës, të deputetit të tyre, vazhdon të punojë.

Për detyrime dhjetë mijë lekëshe janë dënuar me errësirë mijëra qytetarë nga Edi Rama, edhe netët e ndërrimit të vitit.

Ka qindra e mijëra qytetarë që kanë përfunduar edhe në burg, nga dhuna policore e Edi Ramës për energjinë, se nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë, se nuk kanë punë dhe nuk kanë të ardhura.

Ka jo pak qytetarë që kanë humbur dhe jetën, si rasti i kryefamiljarit nga Lushnja, që vari veten në qeli sepse gjendej prej 2 muajsh në burg nga represioni i Edi Ramës, për 35 mijë lekë të vjetra detyrime ndaj OSHE.

Dhe ja ku kemi deputetin e dyshes Rama-Meta, që ka më shumë se 205 milionë lekë detyrime, e vazhdon punën i qetë, fabrika vazhdon të prodhojë duke shfrytëzuar energjinë, pasurinë  publike.

Vjedhin vetë energjinë me shuma që qytetarët as nuk i kanë ëndërruar, pastaj dalin e akuzojnë popullin. Kjo pabarazi para ligjit është skandaloze dhe mban firmën e Edi Ramës.

Kjo pabarazi para ligjit, ka bërë që qytetarët të jenë sot në këmbë. Dhe kjo pabarazi, kjo padrejtësi, kjo e keqe do të ndalet.

Populli do të jetë në këmbë, më i bashkuar se kurrë, në protestat më të mëdha që ka parë ndonjëherë vendi", theksoi Vokshi. 

SHKARKO APP