PD dhe Sali Berisha, analisti: Basha të mos mbajë dy standarde për qëndrimet e DASH

Në Partinë Demokratike duket se ka rënë qetësia, por pse brenda saj po zien situata. Shpallja e Sali Berishës si person ”Non-Grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe këmbëngulja e ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim që ish-kryeministri nuk duhet të jetë në Kuvend, janë dy çështje të forta për selinë blu.

Analisti politik, Skënder Minxhozi thotë se Partia Demokratike nuk mund të mbajë dy standarde sa i takon qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij retorika e PD-së në Parlament ka për të qenë e vështirë, duke qenë se nga njëra anë opozita duhet të konfirmojë qëndrimet e saj pro-amerikane ndërsa nga ana tjetër ka si deputet një person që ka hedhur në gjyq sekretarin e DASH.

Po ashtu Minxhozi tha se është e papranueshme që njëherë t’i konsiderojmë mesazhet e SHBA-së si faktor stabiliteti dhe njëherë si akuza tendencioze. Opozita ngulmonte që Tom Doshi, si pjesë e “listës së zezë” në Amerikë, të linte politikën prandaj sipas tij i njëjti qëndrim duhet mbajtur edhe për Sali Berishën.

”Identifikimi i interesit personal të Berishës me interesat e mëdha të gjithë opozitës mendoj se është problemi kryesor që ka sot Partia Demokratike”. Sipas tij reagimi i Berishës ishte i pritshëm duke marrë parasysh profilin e tij politik.

SHKARKO APP