PD: Dorëheqja e Didit, për të fshehur autorët e skandalit
“Gjithkush e di se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Atyre madje u ka leverdisur kjo kërkesë dhe e kanë shfrytëzuar për të kapur dëshmitarin kyç Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës, i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhërin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin”.
Kështu ka pohuar sot nga selia e Partisë Demokratike, përfaqësuesi i saj, Edmond Spaho, lidhur me dorëheqjen e kreut
të Policisë së Shtetit.
Duke shtuar se “numëruesi i parë në zgjedhjet e 23 qershorit, tregoi sot se është gati të bëjë gjithçka për të marrë në mbrojtje shefat e tij, Saimir Tahiri dhe Edi Rama, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për një prej skandaleve më të mëdha të policisë, që është fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Frroku”.
Por kjo sipas PD-së është një përpjekje e dëshpëruar.
“Gjithkush e di, çdo qytetar i vendit e di mirë, se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni Ministri i Brendshëm, ka pasur dijeni Kryeministri. Atyre madje u ka leverdisur kjo kërkesë dhe e kanë shfrytëzuar për të kapur dëshmitarin kyç Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës, i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve.
Fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhërin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin.
Ky skandal i padëgjuar më parë ka dëmtuar Policinë, Shtetin, demokracinë dhe imazhin e vendit tonë.
Vetëm një transparencë e plotë, dhe një llogaridhënie e plotë, dhe një përgjegjësi e plotë e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, është përgjigja e duhur ndaj kësaj situate të paprecedent.
I pari që duhet të japë dorëheqjen sot, është Saimir Tahiri”, përfundoi Spaho.