PD: Drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen 184. Urdhëruesit e manipulimit të zgjedhjeve, duke nisur nga Edi Rama, duhen ndëshkuar
Partita Demokratike shprehet e zhgënjyer nga vendimi i sotëm duke theksuar se Drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen 184.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaron se urdhëruesit e manipulimit të zgjedhjeve, duke nisur nga Edi Rama, duhen ndëshkuar.
Po ashtu, Bardhi shprehet se loja e SPAK dhe ping – pongu me dosjen nga Tirana në Dibër nuk justifikon mungesën e drejtësisë. Bardhi deklaron se PD-ja do t’i shkojë çështjes deri në fund.
DEKLARATA E GAZMENT BARDHIT
Sot drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen 184 të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër.
Dosja 184, ku kryeministri Edi Rama, Ministri i Ekonomisë, Damian Gjiknuri, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetët Pjerin Ndreu, sot kryetar i Bashkisë Lezhë, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Artan Gaçi janë dëgjuar nga shqiptarët duke urdhëruar dhe zbatuar vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër bashkë me personazhë të krimit të organizuar.
Në vend që të gjithë këta, bashkë me Ymer Lalën apo Dionis Imerajn të ishin sot para drejtësisë, të ndëshkuar për vjedhjen e zgjedhjeve, e ashtuquajtura drejtësi pret të kalojë koha, të mos hetojë dhe të çlirojë nga akuza Edi Ramën dhe bandën e tij të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër.
Ngritja e akuzave nga prokuroria vetëm për disa zyrtarë lokalë dhe përjashtimi nga përgjegjësia penale e organizatorëve, nxitësve dhe urdhëruesve të vertetë të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër nuk është drejtësi.
Shqiptarët dhe bota mbarë kanë dëgjuar me zë e figurë sesi Edi Rama urdhëronte zyrtarët lokal për manipulimin e zgjedhjeve, sesi Damian Gjinknuri dhe Imer Lala blinin votat, sesi Pjerin Ndreu kërcënonte mësuesit. Shkelja e ligjit nga maja e pushtetit nuk mund të mbulohet me peshqit e vegjël dhe të ngordhur të pushtetit që rri në këmbë nga votat e vjedhura.
Loja e SPAK dhe ping – pongu me dosjen në segmentin Tiranë-Dibër, nuk është kurrë justifikim për mungesën e drejtësisë.
Shitblerja e votave, e konstatuar nga prokuroria ka përgjegjës, së pari, Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Imer Lalën, Dionis Ymerin, Pjerin Ndreun dhe të tjerët. Keta duhet të përballen me ligjin për krimin që kanë kryer. Shqiptarët presin ndëshkimin e organizatorëve dhe nxitësve të krimeve elektorale. Kjo është një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga kërkesa për drejtësi të plotë për dosjen 184.
Në cilësinë e kallëzuesit, ne po presim njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Dibrës dhe njohjen me aktet e plota të dosjes për t’i shkuar kësaj çështje deri në fund.
Hajdutët e vërtetë të zgjedhjeve duhet të përballen me ligjin, në çdo kohë dhe kushdo qofshin!