PD e përçarë, PS fton Bashën
Nga: Redjon Shtylla
Kurrë më parë Partia Demokratike nuk ka qenë në këtë nivel, ku frymëzimi dhe besimi mungon. Lideri historik Sali Berisha, në takimet me demokratët pas përjashtimit nga grupi parlamentar me vendim personal të Lulzim Bashës, ka treguar se është i vetmi që mobilizon bazën e PD-së. Kjo ka dy anë. Në radhë të parë do të thotë se lideri aktual Lulzim Basha, pasi ka humbur në çdo zgjedhje përballë Edi Ramës, në këto vite nuk ka mundur që të mobilizojë demokratët, siç po bën Berisha në këtë javë.
Beteja vijon, thotë Basha pas çdo humbje, por në këto 8 vite në opozitë, ndonëse aksionet opozitare nuk i mohohen, del që asnjëherë nuk e ka mobilizuar PD-në, siç po bën doktori. Kjo është në dëm të PD-së, e cila kërkon të vijë në pushtet, por fryma i mungon. Me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, Berisha pranoi se ka gabuar me Bashën. Edhe pse i kërkoi të jepte dorëheqjen në 2017, në takimin me demokratët në Durrës, ai tha se duhet të kishte nisur proçeset që ta çonte në fund këtë këshillë të tijën.
Përçaja e PD-së është e thellë dhe nuk ka nisur sot. Ish-kryeministri Sali Berisha, akuzon po ashtu Bashën se me një listë për deputetë të bërë në mesnatë ekzekutoi njerëzit me kontibute mes demokratëve. ”Në një listë të bërë pas mesnate u ekzekutuan si në pusi, njerëz që kishin 20 vite kontribute në PD”. Heqja e tyre, është si qumështi pa ajkë.
Është e trishtë që në media nga 10 lajme, 9 janë për krizën në PD, për tensionet në kampin blu, dhe kjo ul shpresat që do të kemi një PD të fortë përballë Edi Ramës në mandatin e tretë qeverisës nga ai.
Nga ana tjetër, ftestat e PS-së për Lulzim Bashën nuk kanë rreshtur kurrë. Siç Berisha e quan të marrë penga nga Rama, PS-ja është e gatshme për bashkëpunim. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, një nga zonjat e PS-së, thotë se për të favorizuar dialogun politik, nuk heziton të luajë një rol aktiv.
”Unë do të bëja gjithçka që të mundësoja dialogut dhe komunikimit. Në funksion të komunikimit, për këdo do të isha disponibël”. Ftesa përveç se Bashës, PD-së nuk i shërben. Opozita duhet të jetë kritike e qeverisë, jo bashkëpunuese me të.
Ringritja dhe opozitarimi i PD-së varet në dy opsione. Ose të vazhdojë sipas Bujar Nishanit në këtë kënetë të madhe dhe të shkojë pak nga pak drejt asgjësimit të saj, ose të ridimensionohet në mënyrë dramatike, duke ndryshuar në mënyrë rrënjësore, parimin, strukturat, funksionimin dhe forcën e saj elektorale. Një PD e fortë, është në të mirën e qytetarëve, ose vendin kthehet në diktaurë që një parti ka të gjithë pushtetin në duar.