PD: Ekonomia shqiptare në rrezik! Qeveria ka dhënë aq shumë kontrata PPP, sa nuk ka aftësi t’i kontrollojë

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i takon alarmit që dha ky institucion ndërkombëtar për koncesionet PPP, kontratat të hartuara keq dhe pa monitorim.

Deklaratë e Partisë Demokratike, Ina Zhupa

Vjedhja shtetërore me PPP dhe koncesionet abuzive, pa tender dhe pa garë nuk është retorikë por fakt. E vërteta sado të duket akuze për qeverinë, nuk është vetëm pjesë e denoncimeve të opozitës, por edhe raporteve ndërkombëtare.
Partia Demokratike i ka denoncuar rast pas rasti koncensionet korruptive, klienteliste edhe kundër interesit publik. Ekonomia shqiptare në rrezik!
FMN e thotë qartësisht se: Qeveria shqiptare ka dhënë aq shumë kontrata PPP, të cilat nuk ka aftësi t’i kontrollojë. Vetë Raporti i përvitshëm i koncesioneve përgatitur nga Ministria e Financave del se “situata ka dalë nga kontrolli” dhe për shumicën e kontratave nuk kishte asnjë informacion.
Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të publikojnë kontratat e prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues.
Fondet edhe kontratat e tërmetit janë denoncuar nga PD dhe në përdorimin e tyre selektiv për fushatën elektorale të 2021 dhe për kostot e fryra në krahasim me ndërtimet që bën vete BE.

Ekonomia shqiptare është në rrezik, me skemat PPP ku tashmë janë hapur e shtrirë në çdo fushë, duke mos lënë as trashëgiminë tonë kulturore pa prekur. Alarmi i FMN duhet dëgjuar nga qeveria shqiptare por mbi të gjitha thirrjet për kontroll të praktikave të ndjekura për kontratat duhen dëgjuar nga SPAK.
Shqiptarët po ikin dhe qeveria thotë se gjërat shkojnë mirë. Ashtu si ata, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mendon se në Shqipëri, me këtë qeverisje, gjërat nuk janë aspak mirë.

SHKARKO APP