PD: Ekzekutimi i Durrësit, vepër e bandave të lidhura me Tahirin
Koordinatori i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj akuzoi sot ministrin e Brendshëm për ekzekutimet e djeshme në Vlorë dhe Krujë. Sipas Alibeajt, vrasjet në fjalë kanë firmën dhe vulën e miqve të ministrit Tahiri, ndërsa theksoi se këto janë shenja të përkeqësimit të rendit publik.
Alibeaj tha se policia ishte ne dijeni të veprimtarive kriminale të viktimave dhe ata ishin nën vëzhgim, por gjithësesi i la të vriteshin.
Deklarata e plotë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj
Ekzekutimi mafioz mbrëmë në Durrës nuk është vetëm tregues i përkeqësimit të rendit në shkallën më të lartë, por më e renda është përfshirja e drejtpërdrejtë e një pjese të strukturave të Policisë.
Viktima Çollaku, ishte nga të ndaluarit e parë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen që ndodhi në Durrës në mes të qytetit, në fund të dhjetorit, ku u ekzekutua Ervin Kodra dhe miku i tij.
Policia jo vetëm e shoqëroi viktimën e mbrëmshme për vrasjen e Kodrës, por po e mbante gjithë kohës nën vëzhgim.
Megjithëse ishte nën mbikqyrjen e policisë, megjithëse policia kishte informacion për përfshirjen e mundshme të Çollakut në vrasjen e dyfishtë të dhjetorit, sërish 4 vetë të armatosur e të veshur me uniformë policie e rrëmbejnë në mes të qytetit viktimën, e lidhin dhe e ekzekutojnë, duke larë hesapet e tyre.
Këto lloj rrëmbimesh dhe ekzekutimesh, si në rastin e Stafukës në Fushë-krujë, kanë firmën e kokave të krimit në vend, kanë firmën dhe vulën e miqve të Saimir Tahirit.
Lehtësia me të cilën bandat rrëmbejnë e vrasin, vjen nga lidhja e tyre e drejtpërdrejtë me Ministrin e Brendshëm.
Nuk mund të ketë lehtësi më të madhe për krimin dhe mafian, se sa një ministër i brendshëm që bën ndërmjetësin e vrasësve me pagesë, që dërgon oficerë në shërbim të shullazëve, që vë makinën e tij personale në dispozicion të trafikantëve, që djeg provat e drogës, që fsheh kërkesën e interpolit, që shfajësohet para baronëve të narkotikut se dëmin nuk ua bën kurrë ai.
Ky është Saimir Tahiri, i cili ka firmën e vulën pas këtij ekzekutimi, pas këtyre vrasjeve, pas trafikut të drogës dhe inkriminimit të policisë.
Partia Demokratike i bën thirrje trupës së ndershme të policisë, burrave dhe grave në uniformë, të bëjnë maksimumin e tyre e të punojnë me përkushtim, sepse koha e çlirimit nga ky ministër i lidhur me krimin nuk do të jetë e largët.
KOHA JONË SONDAZH

