PD feston sot 24-vjetorin, asnjë i ftuar nga PS dhe LSI

Demokratët, ndryshe nga vitet e fundit, ditëlindjen e 24-ët kanë vendosur ta festojnë pa praninë e përfaqësuesve të së majtës, por me shumë të ftuar të tjerë. Burime zyrtare nga Partia Demokratike konfirmojnë për “Gazeta Shqiptare” se për shkak të situatës së tensionuar mes mazhorancës dhe opozitës, nuk janë ftuar asnjë nga drejtuesit e PS-së dhe LSI dhe as deputetë të tyre. Ndërkohë që konfirmohet ftesa për kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, pjesë e koalicionit qeverisës. Por pavarësisht mungesës së tyre në këtë festë, demokratët kanë menduar për shumë miq të tjerë dhe ata do të jenë dhe nga shoqëria civile. Të ftuarit e zakonshëm do të jetë të përvitshmit, ish-themeluesit dhe ish-studentët e Dhjetorit ‘90, anëtarë të rinj të PD-së, aleatët e demokratëve, trupi diplomatik, krerët e komuniteteve fetare dhe akademikët. Mësohet se janë afro 800 të ftuar dhe ndryshe nga herë të tjera, PD ka ndryshuar ambientin për 24-vjetorin e themelimit të saj. Sonte festa nuk do të jetë në Pallatin e Kongreseve, por në ambientet e Hotel “Sheraton”. Para qindra të ftuarve, kreu i PD-së, Lulzim Basha do të flasë për situatën në të cilën ndodhet sot PD, rrugëtimin e saj të suksesshëm mes vështirësive që nga lindja e deri në 24-vjetorin e themelimit të saj. Po ashtu, mësohet se Basha para të ftuarve të shumtë do të paraqesë edhe projektin “Drejt Lirisë”, që startoi më 8 dhjetor pikërisht “Ditën e Rinisë”, por që do të vazhdojë gjatë të gjithë vitit të ardhshëm, vitit të 25-vjetorit të Lëvizjes Demokratike, Partisë Demokratike, ndryshimit të madh demokratik në Shqipëri. Ky projekt do të përshijë ngjarje dhe personazhe në të gjithë vendin, pa dallime politike. Për demokratët, ky është viti i dytë që festojnë në opozitë. Një vit më parë PD festoi 23-vjetorin e themelimit të saj, si e para parti opozitare pas afro gjysmë shekulli diktaturë komuniste bashkë me të majtët. Në festën e PD-së nuk mungonin as diplomatë e drejtues të lartë të politikës si ambasadorë të SHBA-ve e BE-së, por edhe ish-partnerë e kundërshtarë politikë si Ilir Meta. Mungoi kreu i qeverisë, Edi Rama. Por as përfaqësues të tjerë të PS-së nuk u panë në festën e demokratëve, ndërkohë që Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së nuk refuzoi ftesën e PD-së. Të ftuarit e shumtë shijuan shampanjën dhe tingujt e bandës frymore, e cila ishte thirrur enkas për festën e demokratëve. Pas një dokumentari të rrugëtimit 23-vjeçar të PD-së, Lulzim Basha, lideri i ri i partisë që solli demokracinë në Shqipëri, premtoi të ardhme të sigurtë për demokratët. Një parti më të madhe e të hapur për t’u rikthyer në vendin që i takon kësaj force. “PD lindi dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe e të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe e integrimit, partia e interesit kombëtar, forca e shpresës dhe integrimit Europian të Shqipërisë. Në vitin e 23 të kësaj partie, kam nderin të kryesoj këtë kremtim, nder të cilin e përjetoj si përgjegjësi dhe të uroj të gjithë anëtarët e PD-së, kudo që ndodhen për ditëlindjen e partisë sonë”, u shpreh Basha. Kreu i PD-së nuk la pa përmendur gjithashtu edhe disa prej figurave qendrore të PD-së, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë kësaj kohe. Basha kujtoi me mirënjohje Azem Hajdarin, prijësin dhe heroin e Lëvizjes studentore; Gramoz Pashkon, liberal-demokratin dhe themeluesin e orëve të para të PD-së; Pjetër Arbnorin, “Mandelën” e Shqipërisë, simbolin e kurajës dhe urtësisë; Sokol Olldashin, nismëtarin, drejtuesin, deputetin, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur. Lulzim Basha vlerësoi gjithashtu edhe paraardhësin e tij në krye të PD-së, Sali Berisha, të cilin e cilësoi si liderin historik të demokratëve.

SHKARKO APP