PD fiton me vështirësi në Tropojë
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e re Tropojë Besnik Dushaj fiton me diferencë të vogël zgjedhjet, në të cilat, e djathta ka humbur mijëra vota në krahasim me vitin 2013 në bastionin e vet.
Bashkia e re Tropojë do të qeveriset përgjatë katër viteve të ardhëshme nga kandidati i të djathtës Besnik Dushaj, por fitorja e tij rezultoi me një diferencë shumë më të vogël se sa fitorja e të djathtës në zgjedhjet e vitit 2013 në këtë bastion demokrat.
Pas numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të së dielës, Besnik Dushaj rezultoi me 5,810 vota, ose fitues me afro 52 për qind. Por Dushaj rezulton se ka marrë 2 mijë vota më pak se sa patën marrë PD dhe PR në zgjedhjet e vitit 2013.
Kundërshtari i tij, Rexhë Byberi, i cili kandidonte në emër të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, arriti të marrë afro 5 mijë vota, mbi 2 mijë vota më shumë nga sa patën marrë më 2013 Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2013.
Bashkia e re Tropojë përbëhet nga komunat që janë pjesë e Rrethit Tropojë.
BIRN