PD fiton në Lezhë/ Topalli: Edhe pas largimit, Basha po bën çmos ta dëmtojë partinë
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli thotë se forca politike në të cilën ajo bën pjesë, do t’i marrë të tre bashkitë në qarkun e Lezhës, ku ajo është drejtuese politike. Teksa komentonte grupin tjetër të PD-së, atë zyrtarin, Topalli u shpreh se janë të papërfillshëm pasi nuk qenë në gjendje të nxjerrin 61 kandidatë në 61 bashki.
”Vendimi i gjykatës për t’i hequr për t’i dhënë emrin forcë politike dy deputetëve dhe për t’ua hequr atyre që ishin mbledhur në sy të të gjithë botës, në një stadium të madh ku kanë votuar për kryetarin e tyre, është gjë absurde”,-deklaroi Topalli.
Ajo u ndal edhe tek Basha për të cilin tha se e ka ditur gjithnjë që do ta shkatërronte PD-në. ”Në 10 vite të jetës sime e kam thënë prej kaq shumë vitesh që ai do ta shkatërrojë PD. Edhe pas dhënies së dorëheqjes, ai pas perdeve, po bën çdo gjë për të dëmtuar deri aty ku nuk mund të imagjinohet atë forcë politike, bashkë me ata që i mbështesin”. Për të PD-ja po paguan sot mëkatet pasi për 10 vite pranoi të drejtohej “nga dikush që kreu i qeverisë e kishte ne xhep”.