PD, gati për reformën zgjedhore. Bylykbashi: Të hapur për sistemin dhe votën e emigrantëve
Partia Demokratike ka filluar punën për reformën zgjedhore, jo thjesht për të treguar se nuk është ajo që bllokon procesin e reformës, por për të bërë gati zgjidhjet për çdo problematikë që sipas opozitës duhet të përfshijë reforma për të garantuar një proces të lirë e të ndershëm. Kreu i grupit të punës për reformën zgjedhor, Oerd Bylykbashi, shpjegon se opozita po punon jo thjesht për rekomandimet e OSBE-ODIHR, por për ndryshimin e një seri ligjesh.
Reformën Zgjedhore, Partia Demokratike e vlerëson si vendimtare dhe të vetmen rrugë për të dalë nga kriza politike.
Për këtë qëllim, prej ditësh Lulzim Basha ka aktivizur një grup ish- deputetësh dhe juristësh për të hartuar një paltformë të plotë, e cila sipa kryetarit të grupit të punës, Oerd Bylykbashi, parashikon ndryshime të thella, pa kursyer Kushtetutën, por dhe formulën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Oerd Bylykbashi, si kryetar i grupit të punës, thotë se platforma parashikon ndryshimin e ligjit të partive politike për referendumet si dhe po sheh mundësinë e ndërhyrjeve në Kushtetutë për t’iu dhënë përgjigje të gjitha çështjeve prioritare.
Dokumenti i Opozitës përmblidhet në 5 çështje kryesore thotë Bylykbashi.
Bylykbashi: Financimi i partive politike është një çështje prioritare sa na takon ne, votimi elektronik mbetet përsëri një çështje shumë e rëndësishme për shmangur abuzimin që bëjnë partitë politike nëpërmjet komisionerëve apo elementëve kriminalë jashtë procesit për të manipuluar votën e shqiptarëve.Gjithashtu ne do të diskutojmë çështje të karakterit të rëndësishëm siç është sistemi zgjedhor.
Partia Demokratike nuk e njeh Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, dhe këmbëngul që kjo reformë të kryhet nga një instrument i posaçëm.
Bylykbashi: Të bëhet në kuadrin e një instrumenti i cili do të bëjë bashkë vullnetin politik të opozitës së bashkuar, të parlamentit monist ku praktikisht është vetëm PS dhe kjo me prezencën dhe kontributin e partnerëve ndërkombëtarë, OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA.
Edhe pse janë fokusuar në ndryshime ligjore, Bylykbashi e ka bindje se vullneti politik është kryesor për standarde në zgjedhje.
Bylykbashi: Ndërkombëtarët janë gjithmonë e më afër një ideje e cila do të çonte në zgjidhje efektive pa u marrë shumë me modalitetet formale.
Në një kohë që Opozita po punon për reformën dhe kërkon konsensus për strukturën e posaçme, Komisioni Parlamentar po mbledh propozime.