PD i përgjigjet Ramës: Mos e fshih të vërtetën e dhimbshme të fermerëve shqiptarë
Eksperti i Ekonomisë pranë Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, reagon pas video-mesazhit të kryeministrit Edi Rama se bletaria ka marrë mbështetje gjatë qeverisjes së tij, krahasuar me kohën kur në pushtet ishte PD.
Teliti shkruan në ‘Facebook’ se “Edi Rama po përpiqet që lugën bosh të propagandës ta mbushë me gënjeshtra shoqëruar me mjalt propagandistik”.
Sipas ekspertit, bletërritësit dhe të gjithë fermerët kanë nevojë për ndihmë konkrete dhe jo tabela me ngjyra që fshehin të vërtetën e dhimbshme.
“I rrethuar nga statistika negative në të gjithë sektorët e ekonomisë, ER po përpiqet që lugën bosh të propagandës ta mbushë me gënjeshtra shoqëruar me mjalt propagandistik. Edhe pse ka 4 vite rresht që bletërritësit ulin numrin e koshereve, në kulmin e pandemisë ER nuk u ka ofruar atyre dhe fermerëve as 10% të masës së subvencioneve që kanë ofruar vendet e rajonit. Për fat të keq, videot 3D të ëmbëlsuara me propagandë, nuk ua lehtësojnë gjendjen bletërritësve.
Fakt mbetet që të gjjthë bletërritësit dhe fermerët shqiptarë u përjashtuan nga skemat gjysmake të ndihmës që dha qeveria shqiptare gjatë pandemisë.
Bletërritësit shqiptarë nuk i ndihmon mburrja e ER me punën e tyre. Bletërritësit dhe të gjithë fermerët kanë nevojë për ndihmë konkrete dhe jo tabela me ngjyra që fshehin të vërtetën e dhimbshme te fermerëve shqiptarë. Lekët për të ndihmuar fermerët janë, por qeveria dhe në ditët më të vështira të pandemisë nuk ndihmon qytetarët por paguan për inceneratorë që nuk punojnë”, shkruan Teliti.