PD-ja e Berishës nuk ndalon, më 3 mars protestë kombëtare para Kryeministrisë
”Revolucioni nuk ndalon dhe vijon”. Më 3 mars, PD-ja e Sali Berishës do të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare, si ajo e të shtunës së kaluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Protestat para Parlamentit do të vijojnë sa herë që të ketë seancë plenare. Një ditë më parë, mes protestuesve dhe forcave të policisë pati përplasje të vogla, ku nuk munguan tymueset dhe shashkat.
Të shtunën u zhvillua një protestë kombëtare në bulevardin para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, ndër të tjera edhe për lidhjet me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.
Këto protesta po zhvillohen në një kohë që më 14 maj 2023, do të mbahen zgjedhjet lokale dhe ende ”lufta” në PD se kujt i takon vula nuk është shuar.
Në 3 mars, Apeli mban seancën gjyqësore që do i japë fund njëherë e mirë se kujt i përket PD-ja dhe në po të njëjtën ditë ish-kryeministri ka thirrur protestën e radhës kombëtare.