PD-ja e Berishës pjesë në zgjedhjet lokale? Ivi Kaso tregon rrugën që do të ndjekin për në KQZ
Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Ligjore në PD-në e Sali Berishës, tregon rrugën që do të ndjekim për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, në një kohë që ”lufta” në Gjykata dhe në KQZ, vijon mes dy grupeve.
Ai përmendi rastin e 2019-ës, ku një subjekt u regjistrua në zgjedhje sipas një standardi të mbajtur nga KQZ-ja. Nëse nuk do të merret parasysh kjo, ai tha se do të ndjekin një aksion politik që nuk ka për të qenë vetëm ligjor por në të gjitha format që njeh demokracia.
”Duhet të sqarohet se ka pasur një Kuvend të PD-së më 11 dhjetor dhe vendimet e atij Kuvendi janë paraqitur sipas ligjit pranë Gjykatës për regjistrim në regjistrin e partive politike. Ka një vendimmarrje të Gjykatës, më datë 25 mars, i cili në kushte normale pasi ka certifikuar vlefshmërinë e Kuvendit të demokratëve, duhet të ishte regjistruar në regjistër, por në një akt të paprecedentë, ky regjistrim mbahet peng.
Sot kemi një vendim të vlefshëm të Gjykatës së Tiranës që certifikon organet drejtuese të PD, vulat dhe simbolet e saj dhe ky vendim nëse regjistrohet apo jo në regjistër, ka fuqi detyruese për të gjithë institucionet ligjzbatuese, prandaj s’ka asnjë pengesë as KQZ apo organet e tjera që këtë vendim ta aplikojnë automatikisht.
Në zgjedhje do të futemi si PD, duke çuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u regjistruar, duke përfshirë vendimin e gjykatës të Tiranës që certifikon kush janë organet drejtuese të PD dhe kush cila sigla dhe vula e saj. Një vendim i vlefshëm dhe është në fuqi. Të gjitha organet në Shqipëri janë të detyruar ta zbatojnë automatikisht. Prandaj deklarimet e KQZ, janë shumë të kujdesshme për të nënvizuar që në kuadër të procesit të regjistrimit, do të shqyrtojmë të gjithë dokumentet duke përfshirë këtë vendim”,-tha Kaso në ”AbcNews Albania”.