PD-ja zgjedh drejtuesit politikë për zgjedhjet në 2025, Berisha nga izolimi i jep direktiva Kryesisë

Partia Demokratike nën drejtimin e sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka ka mbledhur Kryesinë e Partisë si dhe janë bërë me dije se kush do të jenë drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit, në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2025. Duke iu drejtuar anëtarëve të Kryesisë përmes një lidhje në Skype nga banesa ku është në izolim që prej 30 dhjetorit, kryetari Sali Berisha bëri një rezyme të sfidave që PD ka kaluar në vitet e fundit dhe vlerësoi faktin që palët janë bashkuar.

”Mblidhemi në një moment vendimtar të historisë së PD. Mblidhemi në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë, por sot ajo është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht se parashikimet ose përpjekjet e hapëta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej. Të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të s’postohej aksi i programit të saj”,-tha Berisha.

Një nga porositë kryesore të ish-kryeministrit për të vetët ishte që të sqarohen mbështetësit demokratë dhe qytetarët se Kodi i Ri zgjedhor që u votua me shumicë votash në Kuvend nuk lidhet me problematikat e mëdha të zgjedhjeve që PD ka denoncuar ndër vite. ”Kemi hyrë në një vit elektoral. Kjo që duht të zgjidhim ne, ky problem madhor u trashëgua nga zgjedhjet në zgjedhje. Nga 35 dosje me rreth 1 milion faqe që kanë ardhur nga vendet partnere vetëm 4 prej tyre janë shqyrtuar.

Po edhe këto 4 kanë mbi 50% të të gjitha bisedave, krimeve në rrafsh elektoral. Ne jemi në vit elektoral dhe hyjmë në një kohë kur asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODHIR nuk është pranuar të shqyrtohet nga Edi Rama. Ju lutem shumë të sqaroni çdo anëtar dhe anëtare e qytetar tonin se ajo që votuam në Parlament nuk ka asnjë lidhje me problematikat e mëdha të zgjedhjeve, të cilat kanë rrënuar barazinë e zgjedhjeve”,-tha më tej Berisha.

Lista e drejtuesëve politikë

1. Shkodër-Luçiano Boçi
2. Lezhë-Agron Gjekmarkaj
3. Dibër-Xhelal Mziu
4. Kukës-Flamur Hoxha
5. Durrës-Oerd Bylykbashi
6. Elbasan-Ervin Salianji
7. Fier-Gazment Bardhi
8. Korçë-Ivi Kaso
9. Berat-Eno Bozdo
10. Vlorë-Bujar Leskaj
11. Gjirokastër-Tritan Shehu
12. Tirana-Belindi Këllici

Flamur Noka dhe Edi Paloka do të drejtojnë fushatën në rang vendi. Albana Vokshi dhe Besar Xhaferraj do të punojnë respektivisht me forumin e gruas dhe me të rinjtë.

SHKARKO APP