PD-ja zyrtare ngre Këshillin Euroatlantik, Alibeaj: Hap për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj thotë se sot ngritën Këshillin Euroatlantik, një organ këshillimor pranë saj. Për të kjo është një nismë që përbën një hap tjetër për të garantuar ecurinë e Partisë Demokratike drejt vlerave dhe parimeve për të cilat ajo u formua dhe mbi të cilat do të vazhdojë rrugëtimin e saj politik edhe në të ardhmen.
“Një nismë e cila do t’i shërbejë Partisë Demokratike në sfidat dhe betejat politike që ajo ka përpara në funksion të një partie më të fortë, më të sigurt dhe më të bindur drejt të ardhmes së saj. Për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne, një forcë politike që ka në themel të saj lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë, që ka në themel të saj vlerat perëndimore dhe euroatlantike. Një Parti Demokratike pra, që do të jetë pa dyshim alternative qeverisëse e së nesërmes dhe për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë”, theksoi Alibeaj.
Këshilli përbëhet nga Edmond Trako, deputet i PD në legjislaturën e parë; Eduard Prodani, stundent i Dhjetorit, bashkëthemelues i forumit rinor të PDSH; Fatos Hoxha, ish-deputet i PD 2009-2013; Gjergji Hani ish-i dënuar politik në moshën 16-vjeçare në 1985; Marcel Hila, aktivist i degës së PD, Shkodër që në vitin 1990; Neli Demi, psikiatër, terapist; Nevila Nika, historiane, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit; Omer Stringa, profesor i ekonomisë, ish-dekan i Fakultetit Ekonomik; Preç Zogaj, themelues i Partisë Demokratike, drejtor i gazetës së parë opozitare “RD”; Rushdi Keci, profesor, ish-prefekt i Tiranës; Vasil Gjika, ish-deputet i PD-së, ’92-96.
Kryetar i Këshillit Euroatlantik do të jetë Preç Zogaj. “Ky këshill, do të ketë funksion këshillimor për sa i përket vendimmarrjeve, linjës dhe orientimit politik të Partisë Demokratike. Gjithashtu Këshilli dhe anëtarët e saj do të kenë autorizimin e Partisë Demokratike të shpërndajnë kudo që munden, në media, në forume apo tavolina të ndryshme diskutimesh vlerat e Partisë Demokratike, kauzat e saj politike dhe orientimin e saj properëndimor”, u shpreh Alibeaj.