PD: Jemi në komunikim me faktorin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës
Kreu i Partisë Demokratike ka zbardhur takimin e organizuar sot në selinë blu me nënkryetaren e CDU/CSU, Katja Leikert.
Në një prononcim për mediat, Basha tha se takimi me delegacionin gjerman u fokusua në zgjidhjen e krizës politike në vend.
Sipas Bashës, zgjidhja e krizës kalon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në një ditë, të atyre lokale dhe parlamentare.
“PD e opozita është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar, pjesë e së cilës ishte edhe takimi i sotëm me nënkryetaren e CDU/CSU, komunikim që vazhdon intensivisht dhe do vijojë edhe në vijim.
Një gjë është e sigurt, se opozita e bashkuar e PD është e vendosur t’i shërbejë interesit të qytetarëve dhe jo zgjidhjeve artificiale për hir të karrigeve tona. Zgjidha duhet të vijë me garanci që do pengojë qeveritë e ardhshme të bjerë në të njëjtin tabak”, tha Basha.
I pyetur nëse delegacioni gjerman ka një rol negociues për zgjidhjen e krizës, Basha tha se “PD dhe opozita e bashkuar janë në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Vlerësojmë shumë rolin e tyre dhe interesin që Gjermania e Bundestagu po japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt hapjes negociatave”.
KOHA JONË SONDAZH

