PD kallëzim në SPAK: Gjyqtari Agron Zhukri shkeli rëndë ligjin, të sekuestrohet dosja
Grupi Basha në PD, ka kallëzuar në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri për shpërdorim detyre. Sipas shkresës së dorëzuar në SPKA nga sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, thuhet se gjyqtari Agron Zhukri shkeli vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore.
“Më 23 Mars, ai caktoi seancën në mënyrë të pashpjegueshme, megjithëse vendimi i gjyqtares tjetër për regjistrimin e ndryshimeve statutore nuk është zbardhur dhe nuk na është komunikuar. PD ka ankimuar edhe vendimin, duke qenë se gjykata nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e saj. Për shkak të ankimimit, në Regjistrin e Partive Politike nuk janë pasqyruar ndryshimet statutore të 17 korrikut”.
Po ashtu, PD i kërkon SPAK-it që të administrojë kamerat e gjykatës, ku sipas tyre shihet qartë takimi i gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e Komisionit të Rithemelimit. Në kallëzimin penal, PD-ja nënvizon edhe se gjyqtari Zhukri nuk i ka lajmëruar për të marrë pjesë në seancë.