PD: Kallëzim penal për Kokëdhimën, ndërtoi buzë detit
PD ka bërë me dije se do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj deputetit Koço Kokëdhima, ku pretendohet se ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme buzë detit. "Partia Demokratike do të depozitojë sot në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal për deputetin Koço Kokëdhima, për shpërdorim detyre, ndërtim të paligjshëm, pushtim toke e dëmtim mjedisi, me sarajet e tij në Qeparo.
Departamenti i Mjedisit dhe i Ligjeve në Partinë Demokratike kanë hulumtuar dhe kanë konstatuar se deputeti Kokëdhima ka shkelur 10 ligje e dy plane urbane me ndërtimin e tij buzë detit. Ndërtimi i Kokëdhimës është një monument paligjshmërie dhe abuzimi, shkelje brutale e një seri ligjesh, dhe lejohet çdo ditë nga Edi Rama, edhe pse është denoncuar publikisht nga mediat dhe nga opozita. Edi Rama ka shembur banesat e të pamundurve, ka nxjerrë në rrugë qindra e mijëra familje, ka lënë pa të vetmin burim jetese ato që mbaheshin me një dyqan, dhe lejon 20 metra larg detit kompleksin luksoz turistik të Koço Kokëdhimës. Meqënëse kryeministri ka zgjedhur të mbrojë paligjshmërinë e Koços, këtë ngrehinë të madhe të abuzimit e nëpërkëmbjes së çdo norme, ne i jemi drejtuar sot prokurorisë me besimin se do të bëhet garante e zbatimit të ligjit.
Pabarazia që thellon çdo ditë Edi Rama duke lejuar sarajet e beut të tij të jugut, Kokëdhima, pabarazia që po arrin kulmin duke i bërë miqtë e klientelen e tij të paprekshëm, po ndodh çdo ditë në sytë e qytetarëve, dhe nga qytetarët do të marrë shumë shpejt përgjigjen e merituar".