PD: Kërkojmë urgjentisht faljen e kamatvonesave të energjisë
Partia Demokratike ka reaguar sërisht mbi mbifaturimet e energjisë për konsumatorët, ndërsa paralajmëron ndërmarrjen e protestave popullore.
"Janë dhjetra mijë familjarë që ishin ankuar për mbifaturim, për fatura aforfe, për ndëshkime të padrejta. Por Edi Rama refuzoi t’i dëgjonte.
Pjesa më e madhe u detyrua të merrte borxhe, u nënshtrua me dhunë të pranonte e të njihte këto fatura të padrejta, sepse qeveria nuk la alternativë tjetër veç burgut.
Ne nuk do të bëjmë sehir, nuk do presim derisa Edi Rama të kujtohet, pasi i ka bërë zullumet. Do ta kërkojmë me vendosmëri të drejtën, bashkë me shqiptarët, masivisht e të bashkuar, edhe më shumë se me 22 nëntor", theksoi Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho.
Sipas tij, që me ardhjen në pushtet, Edi Rama ka krijuar një arkivë të pasur e të plotë me skandale në fushën e energjisë, me abuzime dhe me vendime kundër interesit të qytetarëve, dhe për përfitime personale.
"Lajmërimi që bëri për pezullimin e 54 mijë faturave abuzive, nuk ishte gjë tjetër vecse pranimi i vendimit të ERE-s. Por kjo nuk fsheh dot një seri shkeljesh dhe gjithë anën e errët të cështjeve të energjisë.
Sot që Edi Rama pranoi më në fund të njihte vendimin e ERE-s, pyetja që qytetarët është: çdo të bëhet me mijëra abonentë me të cilët është abuzuar, që kanë paguar ndërkohë haracin e rëndë qeveritar.
Ata janë sot në të drejtën e tyre të kërkojnë paratë, mundin e djersën.
Kjo politikë e Edi Ramës solli jo vetëm plagë ekonomike e sociale, por edhe viktima, dhe njerëz që humbën jetën nga kjo padrejtësi që qeveria e OSHEE po bënin ndaj tyre.
Skandalet e përfitimit personal në kurriz të qytetarëve, nisën herët me aferën CEZ kur Edi Rama i fali ose ndau me këtë kompani 600 milionë euro, detyrime të njohura nga firma ceke ndaj shtetit shqiptar. Avulluan me një firmë të Edi Ramës, ndërkohë që nisi një fushatë represioni policor ndaj të pamundurve, për tu marrë atyre edhe qindarkën e fundit.
Edi Rama ende nuk ka dhënë asnjë shpjegim, për aferën 600 milionë euro. Dhjetra shkolla e spitale, rrugë të reja, mijëra vende pune do të ishin hapur me këto para.
Në kulmin e fatkeqësisë natyrore, shfaqet një tjetër aferë kriminale. Për dy javë, përfitohen 4 milionë euro nga njerëzit e Edi Ramës, të cilët shesin pasurinë tone me 30 euro megavati me njërën dorë, dhe me dorën tjetër, e blejnë atë me taksat e qytetarëve dy herë më shtrenjtë.
Dëmi është publik, por disa të tjerë përfitojnë 4 milionë euro në dy javë. Partia Demokratike kërkon faljen e menjëhershme të të gjitha kamatvonesave. Uljen e cmimit të energjisë, sipas premtimit të Edi Ramës me reduktimin e TVSH-së me 14%. Shqyrtimin e shpejtë të ankesave të qytetarëve bazuar mbi faktet e tyre por dhe mbi premtimet e Ramës", theksoi Spaho.