PD kërkon qeveri kujdestare, Ivi Kaso: Duhet të garantohen zgjedhje të lira
Partia Demokratike e Shqipërisë i është rikthyer propozimit për krijimin e një qeverie kujdestare 100 ditë para zgjedhjeve, por pa një bashkëpunim me Partinë Socialiste. Ditën e djeshme, anëtarët e PD-së në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso dhe Enkelejt Alibeaj prezantuan tri draftet që sipas tyre, sigurojnë votën gjatë proceseve zgjedhore, dhe për të arritur këtë, demokratët kërkojnë një qeveri kujdestare të cilën e qartësuan që në fillim e si duhet të formohet.
Për këtë çështje ka folur në studion e “Good Morning Albanians” në Euronews Albania eksperti i çështjeve zgjedhore në Partinë Demokratike, z. Ivi Kaso. Ai tha se propozimi i ri për krijimin e një qeverie kujdestare synon t’i japë fund ndërhyrjeve politike në procesin zgjedhor.
“Koncepti i qeverisë kujdestare që ne kemi thënë prej kohësh edhe kemi përsëritur është pjesë e paketës tonë e zgjidhjeve që kemi formuar në tryezën e këshillit Politik. Është një koncept i thjeshtë. Kërkon vetëm një qeveri me vullnet të mjaftueshëm për të mos ndërhyrë në procesin zgjedhor për ta prishur atë, vullnet që dukshëm kjo qeveri nuk e ka pasur në zgjedhjet që kjo ka organizuar duke filluar që pas zgjedhjeve të 2013, e deri tek zgjedhjet moniste të qershorit”-tha z. Kaso
Por, çfarë synohet konkretisht me këtë propozim të ri të bërë nga Partia Demokratike, për këtë eksperti zgjedhor në selinë blu tha se qëllimi final është krijimi i standardeve demokratike dhe njëherësh garantimi i procesit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Kërkohet jo një qeverisje e përbashkët, pra jo një bashkëqeverisje. Nuk kërkojmë të bëhemi pjesë e qeverisë neve për të garantuar standardet me mazhorancën, që nga ana tjetër ka përgjegjësinë për të organizuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por kërkohet një qeveri që të jetë jashtë konfliktit të interesit me konceptin e zgjedhje të lira në përgjithësi dhe e përbërë me individë me vullnet për të garantuar zgjedhje të lira”, shtoi mes tjerash, z. Ivi Kaso.