PD mbledh Grupin Parlamentar, Basha: Dekriminalizimi, sfida kryesore e opozitës

"Dekriminalizimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera të administratës publike do të jetë sfida kryesore e Partisë Demokratike në sesionin e ri parlamentar", u shpreh  kryetari i PD-së Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar.

Sipas tij, Grupi i PD-së është i përgatitur për betejë shumëplanëshe.

"Dekriminalizimi është kauza jonë jetike për të promovuar vlerat. Duhet bërë punë për Rrezolutën e miratuar nën kujdesin e të huajve.

Duam të punojmë bashkë me shumicën për të mënjanuar krimin nga jeta politike dhe institucionale. Krimi nuk është një incident e rastësi me përmasat që ka marrë.

Rezoluta është e firmosur nga dy palë dhe zbatimi i saj do të bëhet po nga dy palë. Shpresojmë që shumica të mos bëjë lojë të dyfishtë. Duam që shumica t’u përmbahet angazhimeve që ka marrë.

Të mos bëjë lojë të dyfishtë. Loja e dyfishtë nga shumica do ishte kapitullim para krimit. Loja e dyfishtë nga shumica do të kapitullonte dekriminalizimin.

Partnerët e huaj do të ndihmojnë për fitore ndaj dekriminalizimit. Dekriminalizimi do të shtrihet më tej për zgjedhjet e lira”, theksoi kreu demokrat.

Gjatë fjalës së tij, Basha hodhi akuza ndaj Qeverisë përsa i takon mosmbajtjes së premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore.

“Nga njëra anë kjo është qeveria që ka braktisur bllokun e premtimeve elektorale, nga ana tjetër ka përqafuar pseudoreforma që nuk i ka pasur pjesë të kontratës me zgjedhësit.

Kjo qeveri është cinike, e pabesë, e pafytyrë me zgjedhësit. Rasti më solid është ai i premtimit për uljen e çmimit të energjisë, të cilin po e rrit. Po kaq demaskues është terrori mbi mjekët dhe mësuesit. 

Opozitarizmi duhet t’i përgjigjet sy për sy, flakë për flakë përshkallëzimit të dhunës nga kjo qeveri.

Do vazhdojmë të qëndrojmë fort në tabanin e opozitarizmit të mbështetur në fakte, gjë që është vlerësuar pozitivisht brenda dhe jashtë vendit dhe ka dhënë rezultate.

Vendi ka forca të së mirës që as merren, as kapen, as blihen, as tremben dhe as nënshtrohen. Janë qytetarët e lirë, është media e lirë, është sipërmarrja e lirë, organizatat e shoqërisë civile. Është PD dhe opozita si instanca më bazike dhe e lirisë në këtë vend”,theksoi Basha.

Sipas tij, qytetarët e dinë se në momentet më të vështira, kur krimi lëshohet rrugëve, sallave apo shesheve për të vjedhur asetet publike apo private, jemi ne opozita që i dalim përballë, që e luftojmë dhe do vazdhojmë ta luftojmë pa kompromis.

Duke folur për laboratorin e drogës të zbuluar javën e shkuar në Xibrakë të Elbasanit,  Basha u shpreh se “mburrjet qeveritare dhe krimi janë një binom që po rritet çdo ditë. Trafiku i drogës nuk ishte zhbërë, po ka marrë trajta të frikshme. Krimi nuk mund të ketë aleat më të mirë se qeverisjen propagandistike”.

SHKARKO APP