PD: Me ”Open Balkan”, Rama po i shërben projektit serbo-rus dhe antishqiptar
Për Partinë Demokratike, nisma rajonale ”Open Balkan” është një projekt serbo-rus, dhe se kryeministri Edi Rama është pjesë e nismës duke i kthyer shpinën shqiptarëve. Këtë nënvizoi Floriana Garo në një deklaratë për mediat nga selia blu, ku theksoi edhe se PD-ja refuzon çdo projekt që kërkon të zëvendësojë nismën e Berlinit dhe që cenon pozitat e Kosovës në rrugën e saj drejt BE e NATO-s.
“Refuzimi i dyfishtë i Edi Ramës për të votuar në Parlamentin Shqiptar dy rezoluta që dënojnë gjenocidin në Bosnje dhe atë në Kosovë, është prova e dy-fishtë se Edi Rama po i shërben në mënyrë të verbër një projekti serbo-rus, antishqiptar.
Deklarata e Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov sipas së cilës, “Ballkani i Hapur” është një projekt që gëzon mbështetjen e plotë të Rusisë, duhet të jetë një kambanë alarmi për çdo shqiptar dhe Ballkanas mbi rreziqet dhe agjendën e vërtetë të kësaj nisme. I njëjti rrezik vjen dhe nga pjesëmarrja e pajustifikuar dhe rolin e errët në këtë Samit të djalit të George Soros. Askush nuk e di se me cilin status është prezent në të njëjtën tavolinë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë.
Partia Demokratike e Shqipërisë refuzon në mënyrë kategorike çdo projekt që kërkon të zëvendësojë Nismën e Berlinit dhe integrimin Europian me projekte që rivendosin hegjemoninë ruso-serbe në Ballkan.
Partia Demokratike e Shqipërisë rikujton gjithashtu se pavarësia e Kosovës dhe fuqizimi i saj si shteti i pavarur vjen mbi çdo agjendë bashkëpunimi rajonal. Çdo vendim-marrje e Edi Ramës që cenon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe NATO-s, është një vendimmarrje antishqiptare”.