PD ”merr hak” ndaj PS, kallëzon në SPAK 73 deputetë. Në krye qëndron emri i Ramës
Edhe pse shkaktuan kaos dhe janë dërguar në SPAK nga policia, grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që të përgjigjet me të njëjtën monedhë. Ky grup demokrat ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme 73 deputetët socialistë, të cilat sipas tyre kanë konsumuar dy vepra penale. Emri nis me të kryeministrit Edi Rama dhe përfundon me të deputetit Denis Deliu.
Në dokumentin zyrtar të depozituar tashmë në SPAK, shkruhet mes të tjerash se socialistët në Kuvend kanë penguar ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës. Kallëzimi i demokratëve vjen një ditë pasi një grup deputetësh socialistë kërkuan masa disiplinore ndaj kolegëve të tyre për incidentet e fundit në Kuvend, teksa policia bëri një padi në SPAK për 23 prej tyre, për akuzuat e kanosjes për shkak të detyrës apo shkatërrimit të pronës.
Nisma vjen pas seancës parlamentare të 13 Shtatorit, ku mazhoranca nuk e lëshoi përsëri deputeten Olta Xhaçka dhe nuk e dërgoi në Kushtetuese, me 65 vota abstenim, 9 kundër dhe 25 pro, por në vend të kësaj iu drejtua Venecias. “Konkretisht në kallëzimin e dorëzuar në SPAK 73 deputetët e Partisë Socialiste akuzohen se kanë konsumuar në bashkëpunim veprat penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës”, parashikuar në nenet 320 dhe 320/a të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.