PD ndryshon listën e Lezhës? Preç Zogaj: Ka një lapsus
Lista e kandidatëve e Partisë Demokratike, pritet që sot të dorëzohet e plotë, pas afatit 24 orësh që KQZ-ja i dha për të plotësuar mangësitë, si numrin e kandidatëve nga 94 që deklaroi PD-ja në 140.
Një nga kandidatët e PD-së për deputet në qarkun e Lezhës, publicisti Preç Zogaj, deklaron se lista e hartuar nga Basha është basti i tij personal për të cilën ai mban përgjegjësi të plota. Ai shpjegon edhe lapsusin me vendndodhjen e tij në listë.
Sipas tij asgjë nuk do ta ndryshonte qëndrimin e tij ndaj Lulzim Bashës veçse nëse ai tërhiqej nga projekti politik që ka nisur.
Z. Zogaj, në listat që PD publikoi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ju rezultonit i pesti në qarkun e Lezhës, por që nuk e konfirmuat këtë renditje. Si është e vërteta e kandidimit dhe renditjes suaj në Lezhë dhe a janë lëkundur marrëdhëniet tuaja me PD dhe Bashën, siç ka ndodhur këto dy-tri ditë me personalitete të tjera të PD?
Që ta nis nga fundi, as që më shkon ndër mend të ndryshoj qëndrimet mbështetëse ndaj Bashës, PD-së dhe opozitës për shkak të listës. Pavarësisht ndjeshmërive të larta që ngërthen ky moment në botën e politikës. Marrëdhëniet e mia me Bashën do të lëkundeshin apo ndërpriteshin fare vetëm nëse ai do të tërhiqej nga projekti i gjerë i demokracisë pjesëmarrëse dhe zgjedhjeve të lira, që përbëjnë thelbin e ndryshimit që ka thirrur në skenë koha e re e Shqipërisë; do të ndërpriteshin veç nëse, larg qoftë, do të ndodhte një thyerje në marrëdhëniet e PD-së me SHBA, një tërheqje apo shmangie nga ëndrra europiane, çfarë as ka ndodhur, as ka për të ndodhur. Për të ardhur te tema e nxehtë e listës, marrëdhëniet e mia me Bashën do të lëkundeshin vetëm nëse ai dhe PD do të kishin kohë për t’i renditur kandidatët me votë të fshehtë të anëtarësisë (me primare) dhe nuk do ta bënin. Por ne e dimë se kjo u bë e pamundur kësaj radhe për shkak të protestës tremujore për zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet për vendin sigurisht që kanë rëndësi shumë më të madhe se zgjedhjet brenda partisë. Kur nuk i arrin dot të dyja, do të fokusohesh te më e rëndësishmja. Por zgjedhje me primare nuk bëri dot në kohën e mbetur as Koço Kokë- dhima me lëvizjen e tij “Zgjidhja”. Sepse të gjithë proceset hynë në mungesë kohe. Për të gjithë. Kjo është e vërteta. Të shpresojmë se, siç e tha vetë Basha, kjo është hera e fundit kur listën e bëjnë kryetarët.
Po e vërteta e kandidimit tuaj?
Më kanë thënë se ishte një lapsus. Një çrregullim numrash nga rirenditja për shkak të marrëveshjeve me aleatët.
Kush jua ka thënë, Basha?
Të parët ma thanë bashkëpunëtoret e tij me të cilët është konsultuar, me sa kuptova, për listën e Lezhës. I katërti, i pesti, i pesti, i katërti… Janë numra beteje për të luftuar në grup, nuk janë numra peshqeshi. Mua kjo më pëlqen. Sukseset e mia në politike janë të lidhura me sistemin maxhoritar. Me listat nuk kam pasur fat asnjëherë. Dhe le ta kuptojnë tani edhe shumë lexues, ndjekës, dashamirës apo edhe kritikë të mi, që më kanë komentuar shpesh këto vite: unë përpiqem të zhvilloj qëndrime, kauza dhe aspak t’u bëj fresk e t’u futen në gji shefave për interesa të vogla. Njerëzve të Bashës u kam thënë një gjë: nëse më doni në listë, mendoni për maksimalizimin e votës përmes meje, duke shfrytëzuar faktin se unë kam një marrëdhënie pozitive me zgjedhësit e lëkundur të zonës gri. Në maxhoritar këta zgjedhës më kanë votuar gjithnjë duke e ditur se vota e tyre shkon për mua. Në sistemin e sotëm, besoj se do t’i motivoja duke luftuar për një numër beteje të mundshëm për t’u fituar.