PD në dorën e kujt? Disa deputetë shkojnë në Gjykatën e Apelit: Duam një vendim final

Partia Demokratike vijon që të jetë e ndarë. Ndaj edhe sot, deputetë të PD-së u paraqitën në Gjykatën e Apelit, ku kanë kërkuar të jepet sa më parë vendimi për situatën gjyqësore ku ndodhet kjo forcë politike, se kujt i takon. Deputeti Dashnor Sula, tha për gazetarët se janë informuar që çështja nuk është planifikuar fare për gjykim, ku shtoi edhe se do të paraqesin edhe një shkresë për përshpejtimin e gjykimit.

Për të nuk do të presin pa fund vendimin dhe nga ana tjetër nënvizoi se do të jenë pjesë e Partisë Demokratike kushdo të shpallet fitues në çështje. Sula u shpreh se PD duhet të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje duke propozuar edhe një model primaresh ku përveç anëtarëve të votojnë edhe simpatizantët.

“Ne nuk morëm asnjë informacion. Morëm informacion që nuk është planifikuar fare për gjykim. Korreshi do paraqesë dhe një shkresë që kemi kërkuar përshpejtimin e gjykimit. Ne na intereson gjykimi përfundimtar dhe marrja e një vendim final për të bërë të mundur një pikënisje të përbashkët. Nëse do caktohet Rithemelimi ne do jemi pjesë e Partisë Demokratike siç jemi sot pjesë e Partisë Demokratike. Jemi për daljen me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e vitit 2023. Nëse i keni ndjekur prononcimet e tjera kam hedhur idetë që në primaret të mos votojë vetëm anëtarësia. Unë jam për të pasur një hap më të gjerë“ –tha deputeti.

SHKARKO APP