PD në mbështetje të stafit dhe gazetarëve të ORA NEWS, Vokshi: Transparencë për hetimin e pronarit të Tv, Ylli Ndroqi
Partia Demokratike ka ndjekur me vëmendje njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për hetimin pasuror ndaj pronarit të grupit mediatik ORA z. Ylli Ndroqi.
“Duke mbështetur çdo hetim, ndaj cilido, pa asnjë dallim dhe duke nxitur barazinë e plotë përpara ligjit, Partia Demokratike apelon për transparencë të plotë mbi këtë hetim, duke qenë se mund të vihet në rrezik serioz liria e medias.
Pretendimet e avokatëve mbrojtës për një sulm politik ndaj klientit të tyre janë shqetësuese dhe kërkojnë shqyrtim serioz.
Shpejtësia e hetimit prej vetëm prej 7 ditësh, nga nisja e hetimit deri në paraqitjen e kërkesës në gjykatë për sekuestrimin e disa mediave, vlen gjithashtu të sqarohet.
Dërgimi i forcave policore për të rrethuar RTV Ora dhe Ora News, duke ushtruar presion psikologjik mbi gazetarët dhe stafin hedh hije të forta dyshimi për mënyrën sesi u veprua, kohën kur u veprua dhe arsyet pse u veprua tani.
Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të gazetarëve dhe stafit të RTV ORA dhe Ora News, duke i inkurajuar të vijojnë të palëkundur misionin e tyre në shërbim të publikut dhe interesit të qytetarëve”, deklaron ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi.