PD në protestë, ministri Manja: Shqipëria në rrugë pa kthim për integrimin në BE
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka folur pas mbledhjes së qeverisë për protestën e opozitës dhe kërkesën e saj për qeveri teknike. Për të hallet e shqiptarët nuk zgjidhen me mosbindje civile ndaj drejtësisë. “Ata që kanë zgjedhur këtë mënyrë, i kanë hyrë një rruge pa krye”, u shpreh ministri.
”Shqipëria është në rrugë pa kthim, për integrimin në BE. Kjo është sfidë për Shqipërinë, për institucionet shqiptare. Shqiptarët kanë probleme që kërkojnë zgjidhje dhe zgjidhjet vijnë me punë, objektiva të qartë, dhe nuk mendoj se ka një rrugë tjetër pa kthim përveç kësaj. Shqiptarët pas 32 vitesh tranzicion presin nga qeveria shqiptare shkurtimi e rrugës për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në BE. Ashtu siç e kemi vendosur objektivin tonë në 2030”, theksoi Manja.
Sipas tij, rruga tjetër është rrugë pa kthim e pa krye. ”Unë nuk mendoj se hallet dhe sfidat e Shqipërisë dhe shqiptarëve zgjidhen me mosbindjen civile ndaj drejtësisë. Nuk njoh forma të mosbindjes civile që shkon në dhunë fizike dhe me djegie dhe dhunë fizike. Kjo është rrugë pa krye, pa kthim, për ata që kanë marrë përsipër ta bëjnë, por që kjo nuk i shërben as Shqipërisë e as shqiptarëve”, deklaroi ai.