PD nesër me protesta, 6 rrethrrotullimet që do bllokohen në mbarë Shqipërinë

Partia Demokratike nesër (e martë) pritet që të paralizojë qarkullimin në vend, duke vijuar me protesta civile që vjen pas një qëndrese të një grupi deputetësh para selisë së Parlamentit Europian. Sot Sali Berisha në një konferencë online me gazetarët, tha se kjo protestë nuk do t’i kthehet në bumerang opozitës pasi po luftohet pikërisht për të drejtat e çdo qytetari.

Skenari parashikon bllokim të lëvizjes së lirë të automjeteve në 6 rrethrrotullime të Shqipërisë. Në Tiranë, segmenti që do të bllokohet është ai në afërsi të kthesës së Kamzës deri në sheshin Shqiponja. Në rrugët që të çojnë në jug dhe veri të vendit, mosbindja civile do të përqendrohet në pesë rrethrrotullime, në Shkozet, Rrogozhinë, Levan, Bradashesh dhe Milot.

E parashikuar të nisë në orën 17:00 dhe të zgjasë deri në tre orë, në secilin prej segmenteve rrugore, mbështetësit e Partisë Demokratike do të udhëhiqen nga deputetët e qarqeve përkatëse. Të vetmit që nuk do t’i bashkohen mosbindjes civile që në nisje do të jenë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, dhe disa deputetë të tjerë që do të jenë në takim me delegacionin e PE-së për Stabilizim dhe Asocim.

SHKARKO APP