PD nuk braktis Kuvendin, nesër oponencë me Ramën për programin qeverisës

Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së që nisi në orën 19:00 në selinë blu, është mbyllur me disa vendime për seancën e nesërme në Kuvend, aty ku kryeministri Edi Rama do të prezantojë programin e qeverisë.

Mësohet se vendimi kryesor i marrë nga kjo mbledhje është se PD-ja nuk do ta braktisë më Kuvendin dhe të dalë nga salla.

Po ashtu mësohet se vendimi tjetër, është se demokratët do ta shfrytëzojnë kohën për debat, për të bërë oponencë në lidhje me programin qeverisës që pritet të prezantohet nga kryeministri Edi Rama.

Në mbledhje nuk kanë qenë të pranishëm deputetët Flamur Noka dhe Tritan Shehu, të cilët janë në krah të Sali Berishës për vendimin e marrë nga kreu Basha për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Do të jetë vetë kryeministri Edi Rama, ai që do të analizojë sektor më sektor prioritetet e qeverisë së tij për 4 vitet e ardhshme. Në orën 13:00 është parashikuar që kreu i qeverisë t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve deri në orën 16:00.

SHKARKO APP