PD përcakton piketat e fushatës
Partia Demokratike ka përcaktuar strategjinë e saj të fushatës për zgjedhjet e 21 Qershorit. E ndërsa drejtues të kësaj partie, deputetë apo përfaqësues të departamenteve, do të angazhohen për të denoncuar keqqeverisjen, kandidatët e zyrtarizuar për kryetarë të njësive vendore do të takojnë qytetarët.
Burime nga PD konfirmojnë për TemA se pas prezantimit të kandidatëve me strukturat partiake dhe njohjes pre tyre të territorit që mbulojnë njësitë vendore sipas ndarjes së re territorial, do të nisin edhe takimet me grupet e interesit.
Në Tiranë apo Durrës kandidatët Halim Kosova dhe Grida Duma tashmë kanë nisur kontaktet të shoqëruar nga drejtuesit e degëve dhe deputetët, ndërsa takimet e organizuara konsiderohen si informale nga selia blu. Po kështu në Shkodër dhe Korcë kandidatët e zyrtarizuar Voltana Ademi dhe Gjergji Mero, pas prezantimit nga kreu demokrat Lulzim Basha, kanë vijuar prezantimin me strukturat partiake por edhe me grupe interesi.
Në këtë kuadër kandidatët po tentojnë jo vetëm të njihen, por edhe të marrin mbështetjen e grupeve të vecanta të interesit apo të kërkojnë mbështetjen e tyre.
I gjithë territori i njësisë vendore do të shkelet me këmbë, ndërsa takimet me qytetarët nuk do të jenë vetëm të organizuara, por edhe spontane. Kështu kandidatët pritet të zhvillojnë edhe ato që konsiderohen si takime derë më derë me zgjedhësit, apo takime spontane në zona publike.
Gjithashtu selia blu duket se ka përcaktuar edhe piketat në të cilat kandidatët e saj, por edhe strukturat mbështetëse të tyre do të përqëndrohen. Në bashkitë që janë qeverisur nga përfaqësues të së majtës, demokratët do të përqëndrojnë vëmendjen në atë që konsiderohet si keqqeverisja e këtyre njësive, mosmbajtje e premtimeve, ndërsa si premtim kryesor do të jetë ulja e taksave vendore.
Ndërsa në ato njësi që deri më tani janë qeverisur nga vendorët që i përkasin Partisë Demokratike, vëmendja do të përqëndrohet në bllokimin e projekteve nga ana e Qeverisë, shkurtimin e buxheteve vendore apo mungeën e vullnetit të Qeverisë për të bashkëpunuar dhe mbështetur bashkitë në realizimin e projekteve dhe investimeve të ndryshme./
KOHA JONË SONDAZH

