PD: Pjerin Ndreu, presion ndaj gjykatës
Partia Demokratike akuzon deputetin socialist Pjerin Ndreu, i cili po gjykohet bashkë me kolegun e tij Arben Ndoka, në Gjykatën e Lartë, për dhunën e ushtruar ndaj ligjvënësit demokrat Genti Strazimi, se po ushtron presion ndaj drejtësisë.
"Deputeti Pjerin Ndreu tentoi t’i bënte presion drejtësisë në derën e Gjykatës së Lartë, me një gënjeshtër publike.
Ndreu, i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria, por është i pandehur edhe në sytë e mbarë qytetarëve të vendit, për goditje për shkak të detyrës, tha dje se vetëm e ka prekur deputetin Strazimiri.
Kemi këtu pamjet filmike të aktit banditesk që ndodhi më 10 korrik 2014, pamje që i ka çdo redaksi, dhe që i kanë pare të gjithë shqiptarët.
Në këto pamje duket qartë jo vetëm sulmi fizik, por bie në sy egërsia dhe urrejtja e manifestuar ndaj deputetit Strazimiri.
Vetëm një i pandehur që kërkon t’i shpëtojë drejtësisë , mund të thotë se kjo ishte një prekje.
Kjo është një dhunë e pështirë, që burimin e ka tek nxitja e Kryeministrit, tek urrejtja dhe frika e Edi Ramës për fjalën e lirë, për kundërshtimin dhe denoncimin e kriminalizimit të politikës dhe administrates publike.
Para këtyre pamjeve, cdokush, cdo njeri normal do të kishte gjetur rastin për të reflektuar.
Deputeti i Edi Ramës, dorasi i tij në fakt, bën të kundërtën. Sulmon sërish opozitën, gënjen publikisht dhe paturpësisht dhe kërkon t’i bëjë presion Gjykatës.
Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të cojë deri në fund cështjen e të mos ndikohet nga shantazhe si ato të pandehurit Ndreu.
Ne jemi të vendosur dhe do ta cojmë përpara dekriminalizimin, pavarësisht pengesave që po nxjerr cdo ditë Edi Rama", thuhet në deklaratën e PD.
KOHA JONË SONDAZH

