PD pro ndryshimit të sistemit, Kaso: Diskutimi për një fazë të dytë

Partia Demokratike ka lënë të hapur debatin për ndryshimin ose jo të sistemit zgjedhor. Sekretari për Çështjet Elektorale në PD, Ivi Kaso, sqaron se kjo çështje është diskutuar në takimet e ekspertëve të opozitës, por vendimarrja për të do të jetë në një fazë të dytë, pasi të mbyllen amendimet që kanë lidhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe problematikën zgjedhore në përgjithësi.

Partia Demokratike është drejt finalizimit të paketës për reformën zgjedhore, ndërsa ndryshimi i sistemit zgjedhor parashikohet për një fazë të dytë.

Sekretari për Çështjet Elektorale në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, sqaron se kjo do të ndodhë pas mbylljes së  amendimeve  që kane lidhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe problematikën zgjedhore në përgjithësi.

Kaso: Besoj që si çështje me sensibilitet të lartë publik dhe si një nevojë e artikuluar nga shumë aktorë të procesit zgjedhor është një çështje e cila është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet me seriozitet maksimal nga ana e ekspertëve të opozitës së bashkuar dhe më besoni që konkluzioni që ne do të dalim do të jetë një konkluzion i mirëmenduar dhe i gjithëpranuar.

Një prej ndryshimeve rrënjësore që PD synon të fusë në zgjedhje është përdorimi i teknologjisë në të gjithë vendin.

Kaso: Propozimi ynë ka qenë e vazhdon të mbetet solid, çka shkon në drejtimin e implementimit të teknologjisë, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme, pra të procesit të identifikimit biometrik të zgjedhësve, të votimit e numërimit, çka do të bënte të panevojshme praninë e komisionerëve politikë në Qendrat e Votimit.

Opozita draftin për reformën zgjedhore do ta konsultojë ngushteë edhe me faktorin ndërkombëtar.

Kaso: Në momentin që do të jenë publike nuk shoh ndonjë nevojë për t’ia përcjellë në format zyrtar një komisioni ilegjitim siç është komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, por zgjidhjet tona do të jenë publike dhe akush nuk i pengon ekspertët që të marrin më të mirën.

Duket se reforma zgjedhore nuk do të jetë konsensuale, pasi opozita nuk e njeh komisionin parlamentar, ndërsa ky i fundit po vijon punën me drafte të saj paralelisht me atë të PD-së dhe aleatëve të saj.

/Ora News

SHKARKO APP