PD publikon faturat: 10 milionë euro të paguara kundër ligjit për mikun trafikant të Taulant Ballës në autostradën Tiranë- Elbasan

Partia Demokratike publikon faturat, teksa dekalron se “10 milionë euro të paguara kundër ligjit për mikun trafikant të Taulant Ballës në autostradën Tiranë- Elbasan”.

Ish-deputetja Albana Vokshi nga selia blu deklaroi se SPAK duhet të hetojë skemën e diktimit të nënkontraktorit trafikant për përfitimin e paligjshëm të 10 milionë eurove.

“Edi Rama dhe Taulant Balla përgjegjës për gjobitjen e re 44 milionë euro nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për Tiranë-Elbasan”, theksoi ish-deputetja demokrate Albana Vokshi.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Autostrada Tiranë-Elbasan është një nga modelet sesi veprat më të mëdha publike janë përdorur nga qeveria e Edi Ramës për të futur në xhepat e pushtetarëve miliona euro përmes nënkontraktorëve të diktuar nga qeveria.

Trafikanti i drogës Edmond Bego është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontaktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën.

Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën.

Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit.

Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike.

Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro.

Për këtë drejtësia duhet të hetojë.

SPAK dhe organet e tjera të hetimit duhet të verifikojnë të gjithë procedurën sesi i dënuari Edmond Bego ka marrë në shkelje të ligjit 10 milion euro nga qeveria shqiptare.

Duke zbardhur këtë aferë, prokuroria do të bjerë në gjurmët e Taulant Ballës dhe të vetë Edi Ramës, duke i bërë vendit një shërbim të paçmuar në luftën e vërtetë kundër korrupsionit.

Miku i gjithëpushtetshëm i Mond Begos, Taulant Balla, di shumë gjëra që SPAK-ut i interesojnë.

U interesojnë edhe shqiptarëve, të cilët sot duhet të fillojnë e të paguajnë një më një 44 milion eurot, si dënim nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për sjelljen korruptive të qeverisë me autostradën Tiranë-Elbasan.

Përgjegjës për këtë gjobë tjetër të madhe, që do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre, është Edi Rama dhe Taulant Balla.

Është koha për t’i dhënë fund me votë plebishitare qeverisjes që paguan 10 milionë euro trafikantin e drogës dhe ngarkon qytetarët më të varfër të Europës me gjoba korrupsioni.

SHKARKO APP