PD: Qeveria s’ka asnjë plan për sigurinë e nxënësve me hapjen e shkollave. Ja problemet madhore

Një ditë pasi qeveria vendosi të riahpë shkollat në vitin e ri shkollor, në shtator, Partia Demokratike denoncoi para Ministrisë së Arsimit mungesën e një plani për sigurinë e nxënësve dhe programin mësimor.

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, deklaroi se qeveria nuk shton asnjë qindarkë për arsimin pas rihapjes, ndërsa renditi, sipas saj, 5 problemet madhore për shkollat.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Vendimi i qeverisë për rihapjen e shkollave pa marrë asnjë masë paraprake dhe pa shtuar asnjë qindarkë në fondin e buxhetit të arsimit është sa i papërgjegjshëm, aq edhe i rrezikshëm dhe ka sjellë shqetësimin e qindra mësuesve dhe mijëra prindërve të cilët ditët e fundit i janë drejtuar Partisë Demokratike. Ata e kanë kuptuar se për këtë problem jetik, qeveria nuk ka asnjë plan dhe asnjë një veprim te mirëmenduar, por vetëm reagime nervoze, të nxituara ndaj kërkesave të përsëritura, të përditshme të Partisë Demokratike.

Njësoj si me pandeminë, qeveria nuk ka plan dhe strategji për të rihapur dyert e shkollave në mënyrë të sigurt për nxënësit dhe mësuesit.

Ndonëse kanë mbetur më pak se 4 javë nga nisja e shkollave 2020-2021, qeveria nuk ka ende një udhëzim të detajuar, nuk ka një plan masash, nuk ka protokolle të sigurisë për mjediset dhe ambientet e shkollave. Nuk ka as buxhet shtesë, nuk ka as investime për ujë të rrjedhshëm në çdo shkollë, as masa për dezinfektim të rregullt ditor, as masa për distancim dhe mësim me turne.
Jemi shumë prapa Kosovës, ku ministri, homologu i ministres Shahini ku prej javësh ka bërë publikë udhëzuesin e detajuar, planin e masave, ka bërë disa dëgjesa, ka miratuar buxhet shtesë për të përballuar situatën e COVID-19 në shkollat në Kosovë.

Gjatë komunikimit tonë të vazhdueshëm me mësues dhe prindër, priten përgjigje për këto problematika kryesore, për të cilat qeveria as nuk ka marrë dhe as nuk ka dhënë asnjë informacion.

1. Me sa turne do të zhvillohet shkolla dhe sa të gjata do të jenë orët e mësimit? Prindërit duhet ta dinë që tani këtë informacion për të marrë masa për kujdesin ndaj fëmijëve, ndërkohë që ata janë në punë. Aktualisht, në Tiranë dhe në Durrës, shumë prej shkollave kanë mësim me 2 turne. Është e rëndësishme të dihet çfarë do të bëhet me programin e dështuar mësimor 3 lëndë në 6 orë.

2. Problemi i dytë lidhet me numrin e nxënësve në një klasë. Ky informacion akoma nuk është dhënë nga qeveria, pasi ajo është e papërgatitur dhe nuk ka akoma një plan për sigurinë e fëmijëve tanë. Pas shembjes së 106 shkollave kanë ngelur pa ambiente mësimore rreth 12 mijë nxënës në Tiranë, Durrës, Krujë, Kavajë dhe Lezhë. Askush nuk di ku do të shkojnë këta nxënës dhe ku do të japin mësim mësuesit e këtyre shkollave. Asnjë mase shtesë nuk është marrë për transportin për të garantuar distancim fizik.

3. Ndarja në turne dhe ulja e numrit të nxënësve në klasë do të kërkojë rritjen e numrit të mësuesve. Por deri tani nuk ka asnjë njoftim për këtë nga qeveria. Si do të përballohet nga mësuesit, në mënyrë që orët e mësimit të mos bëhen shkel e shko dhe fëmijët të marrin më të mirën e mësimit në klasa? Qeveria nuk ka as për këtë një përgjigje.

4. Problemi i katërt madhor është përballimi nga familjet i shkollave në kushtet e pandemisë. Përveç teksteve dhe mjeteve shkollore, shpenzimet shtohen me maskat apo dezinfektantët për fëmijët. A do të marrë përsipër shteti garantimin e tyre falas? Vetë qeveria ka pranuar se janë mbi 10 mijë nxënës që nuk kanë bërë mësim online për shkak të pamundësisë dhe varfërisë. Si do ta përballojnë rihapjen tani, kur vetëm një fëmijë mund të dojë të paktën 10-20 mijë lekë në muaj maska dhe dezinfektantë?

5. Higjiena në shkolla. Masat antiCOVID lidhen së pari me higjienën, por në shkollat tona nuk ka ujë të rrjedhshëm, ndërsa për sapun apo dezinfektantë të tjerë as që bëhet fjalë. Qeveria e ka detyrim t’u thotë prindërve dhe nxënësve si do të sigurojë kushtet higjieno-sanitare, kur për 7 vjet e gjysem nuk ka bërë asnjë investim në këtë drejtim.

Në këtë kohë të rrezikshme për shëndetin dhe jetën, kryeministri në ikje e ka detyrim të rrisë buxhetin për arsimin për të përballuar masat elementare për sigurinë e fëmijëve, në mënyrë që hapja e shkollave të mos rezultojë një katastrofë shëndetësore.

• Të publikojë udhëzuesin e detajuar dhe planin e masave për nisjen e vitit shkollor
• Të publikojë protokollin e sigurisë në shkolla dhe planin për shpërndarjen e teksteve shkollore, për të shmangur grumbullimet.
• Të përmirësojë infrastrukturën higjienosanitare

Boll me fjalë dhe shfaqje. Koha nuk pret.

SHKARKO APP