PD: Rama po nxit përplasjen sociale mes shqiptarëve. Ndalimi i pagesave të qerasë, vepër e turpshme dhe konfliktuese
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po nxit përplasjen e 3 milion shqiptarëve me vendimet e fundit që ka marrë. Sipas PD-së nisma e Ramës për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit të bizneseve të mbyllura, është një vepër e turpshme dhe se do të nxisë konflikt social mes shqiptarëve.
“Mes shqiptarëve dhe oligarkëve Edi Rama ka zgjedhur këta të fundit, edhe në kushtet e tmerrshme në të cilën ndodhet vendi sot. Prandaj ka vendosur ti hedhë kundër njëri tjetrit shqiptarët, që t’i shtyjë ata në një konflikt social dhe të shmangë përgjegjësinë e tij dhe detyrimin e tij ligjor për t’iu përgjigjur me fonde, detyrimeve për qeverinë që i përcakton qartë Ligji i Emergjencave”,- thuhet në reagimin e PD.
PD shprehet se kryeministri duhet të anulojë koncesionet dhe të marrë paratë që u ka shpërndar oligarkëve duke mundësuar kështu dhe plotësimin e nevojave bazë që kanë qytetarët.
“Njeriu që nuk pranon të anullojë kontratat koncesionare ku palë është qeveria, por shpall anullimin e kontratave ku palë janë subjekte private, është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. Për të mbrojtur oligarkët, për të mbrojtur paratë e vjedhura, Edi Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin. Në Shqipërinë e varfëruar, shumë qytetarë jetojnë me qiratë që marrin, një pjesë tjetër paguajnë shpenzimet e tyre me qiratë dhe një grup tjetër paguajnë këstet e kredive me to. Mospagesat e qirasë do të ulin jo vetëm të ardhurat për qiradhënësit, por gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk do të kenë aftësi paguese. Ekonomia në vend do të goditet akoma më keq në zinxhirin e konsumit. Dhe kjo vetëm do të shtojë varfërine dhe numrin e të varfërve”,- thuhet në deklaratën e PD.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të situatës së luftës nuk do të paguajnë qiranë. Kjo masë mbështetëse vlen edhe për familjarët që janë regjistruar në shtet dhe të gjithë studentët, të cilët për shkak të COVID-19 janë detyruar që të lënë shtëpitë me qira dhe të kthehen tek familjet e tyre ose kanë humbur punën dhe s’kanë asnjë të ardhur tjetër.
DEKLARATE E PARTISË DEMOKRATIKE
Në këtë kohë pandemie, ku çdo qytetar është në betejë për të mposhtur virusin dhe për t’ia dalë pa dëme në jetë njerëzish, fatkeqësisht kryeministri është në betejë me shqiptarët. Nisma e tij për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të mbyllura është një vepër e turpshme që mëton të ndajë shqiptarët. Ky është një vendim antikushtetues, i padrejtë dhe i rrezikshëm.
Njeriu që nuk pranon të anullojë kontratat koncesionare ku palë është qeveria, por shpall anullimin e kontratave ku palë janë subjekte private, është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. Për të mbrojtur oligarkët, për të mbrojtur paratë e vjedhura, Edi Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin. Në Shqipërinë e varfëruar, shumë qytetarë jetojnë me qiratë që marrin, një pjesë tjetër paguajnë shpenzimet e tyre me qiratë dhe një grup tjetër paguajnë këstet e kredive me to. Mospagesat e qirasë do të ulin jo vetëm të ardhurat për qiradhënësit, por gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk do të kenë aftësi paguese. Ekonomia në vend do të goditet akoma më keq në zinxhirin e konsumit. Dhe kjo vetëm do të shtojë varfërine dhe numrin e të varfërve.
Një qeveri e përgjegjshme nuk do t’i hidhte shqiptarët kundër njëri tjetrit, në këto ditë të vështira. Një qeveri që mendon për të gjithë qytetarët, si për qiramarrësit ashtu edhe për qiradhënësit, një kryeministër që angazhohet në betejë për të mbrojtur popullin e tij nuk përpiqet të krijojë ndasi. Një qeveri e përgjegjshme duhet të gjejë burimet e nevojshme për të mbështetur bizneset e vogla përmes heqjes apo pezullimit të përkohshëm të taksave. Likuiditeti i parave do të përdorej për të paguar një qira që mund të rinegociohej mes palëve. Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të ndërhyjë duke siguruar pagesën e 50% të qirasë për bizneset e mbyllura, siç po ndodh në Kosovë. Do të siguronte ndihmë ekonomike duke paguar një pjesë të rrogës së këtyre punonjësve siç bën Kosova.
Një qeveri e përgjegjshme duhet të heqë dorë nga vjelja e qirave shtetërore ndaj bizneseve. Duke i dhënë atyre mundësi që me ato para të paguajnë punëtorët e tyre. Por për fat të keq, shqiptarët janë sot të vetëm në këtë betejë. Kryeministri nuk mendon për ta, dhe për vështirësitë ekonomike që po prekin çdo ditë e më shumë familjet e shqiptarëve. Në buxhetin e shtetit janë sot 120 mln euro të destinuara për projektet korruptive të PPP-ve, janë mbi 50 mln euro në formë tenderash të dyshimtë që ju janë dhënë të klientëve të përhershëm. Edi Rama nuk pranon që të heqë dorë nga këto kontrata, së paku për një afat një vjeçar. Kryeministri nuk pranon që të sakrifikojë aferën e 120 mln eurove nga buxheti i shqiptarëve. Mes shqiptarëve dhe oligarkëve Edi Rama ka zgjedhur këta të fundit, edhe në kushtet e tmerrshme në të cilën ndodhet vendi sot.
Prandaj ka vendosur ti hedhë kundër njëri tjetrit shqiptarët, që t’i shtyjë ata në një konflikt social dhe të shmangë përgjegjësinë e tij dhe detyrimin e tij ligjor për t’iu përgjigjur me fonde, detyrimeve për qeverinë që i përcakton qartë Ligji i Emergjencave. Sepse Edi Rama e ka për detyrim ligjor në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Fatkeqësinë Natyrore që të dëmshpërblejë çdo humbje të qytetarëve dhe bizneseve. Kjo nuk është në dëshirën e tij, ky është detyrim që rrjedh nga Kushtetuta e Shqipërisë.