PD: Rama u hoqi shpërblimin pensionistëve. Një ministër, debitor energjie
Partia Demokratike ka akuzuar Qeverinë për aksionet e energjisë elektrike. Koordinatori Ervin Salianji, në një deklaratë për mediat tha se aksioni po ndëshkon qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë. Ai shtoi se ministri aktual i Energjitikës Damian Gjiknuri ka qenë debitor energjie.
Deklarata e koordinatorit, Salijanji:
"Letra e Edi Ramës për qytetarët, është në të vërtetë një letër nga ferri. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur mijëra familje sot janë në errësirë, janë të pamundura për të paguar energjinë dhe faturat abuzive, sepse nuk kanë një vend pune, nuk kanë asnjë burim ekonomik.
Urimi për festat e fundvitit, është hipokrizia më e madhe që mund të ndodhë me realitetin e zymtë që e ka krijuar ai vetë, Edi Rama me politikat e represionin e tij, me shtetin policor, me rritjen e taksave, me dështimin e njëpasnjëshëm në ekonomi, me papunësinë e mjerimin që ka krijuar.
Shkruan Edi Rama letra, por pensionistëve u ka hequr shpërblimin e fundvitit, nuk rrit me asnjë qindarkë të ardhurat e tyre dhe të nëpunësve, dhe nuk u dha pagën e trembëdhjetë. Firmos letra urimi Edi Rama por e ka kthyer OSHEE-, në portat e ferrit, ku asnjë qytetar nuk merr përgjigje, ku ankesat mbeten aty stok, ndërkohë që faturat abuzive dhe kamatvonesat mbi to po bëjnë kërdinë.
Edi Rama nuk kthen përgjigje për milionat arbitrare që u janë lënë poshtë derës familjeve si gjobë bandash. Edi Rama po inkriminon masivisht qytetarët. Po fut ndasi, duke i quajtur hajdutë të pamundurit, ndërkohë që vjedhësit më të mëdhenj të energjisë administrojnë pushtetin dhe janë drejtorët e tij.
Kemi sot rastin e Ministrit të Energjisë, Damian Gjinkuri. Në vitin 2010, ai ka qënë deputet, por debitor i paralajmëruar nga kompania në atë kohë, me 3 muaj pa paguar. Për Edi Ramën, ky është hajdut energjie. Sot cdo qytetar në këto kushte do të kishte përfunduar ose në errësirë, ose në burg. Por Damiani është ministër
Edi Rama nuk ka lënë zgjidhje tjetër, përvec protestës. Dhe protestë do të ketë, edhe më masive edhe më popullore, derisa e keqja të ndalet",theksoi Salianji.
KOHA JONË SONDAZH

