PD reagon për zyrtarin e lartë të drejtësisë që takoi botuesin Henri Çili
Partia Demokratike ka reaguar sërish sot për hetimin ndaj botuesit Henri Çili. Në një deklaratë për mediat, PD shprehet se pas mohimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorai, “në mungesë të zbulimit të emrit nga policia dhe prokuroria, që vazhdojnë të punojnë me dy standarde, Sokol Sadushi duhet t’i japë fund heshtjes dhe të japë shpjegime publike për pozicionin e tij”.
Deklarata e plotë e Partisë Demokratike
“Ardian Dvorani deklaroi një ditë më parë se nuk është ai personi që prokuroria e identifikon në dosjen penale si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë, që ka premtuar favore të paligjshme për një dosje në Gjykatën e Lartë.
Në mungesë të zbulimit të emrit nga policia dhe prokuroria, që vazhdojnë të punojnë me dy standarde, Sokol Sadushi duhet t’i japë fund heshtjes dhe të japë shpjegime publike për pozicionin e tij.
Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë. Si kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i tij pritet të ndodhë në mars, kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm.
Është koha që Sokol Sadushi të flasë! Heshtja nuk e ndihmon dot gjatë!”.