PD: RENEA zbuloi një parcelë me kanabis në Pukë, lajmi u mbajt i fshehtë. Oficeri u la i lirë

Partia Demokratike vjen me një denoncim. SIpas selisë blu, RENEA ka zbuluar një parcelë me kanabis në Pukë, por lajmi është mbajtur i fshehtë, kjo me qëllim lirimin e oficerit të policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj.

”Kjo çështje duhet t’i kalonte menjëherë SPAK, por oficeri është lënë i lirë duke e kaluar çështjen pranë Prokurorisë së Pukës, falë mbrojtjes politike që ai gëzon prej kushëririt të tij Fran Tuci, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit”,-thuhet në deklaratën e PD-së.

Po ashtu thuhet se çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit kërkon një drejtësi reaguese, të gatshme t’u kthej besimin qytetarëve dhe policëve të ndershëm që pengohen në kryerjen e detyrës së tyre.

Postimi i plotë

Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta ndaj trafikut të drogës, që cënon rendin dhe sigurinë, është mision i Partisë Demokratike. Në këtë përballje nuk jemi vetëm, por kemi mbështetjen e qytetarëve dhe policëve të ndershëm, që ndihen të braktisur nga regjimi që bashkëpunon me krimin. I tillë është denoncimi që na ka ardhur sot mbi ndërhyrjen e forcave RENEA në zonën e Pukës.

Operacioni ka zbuluar një parcelë të madhe të mbjellur me kanabis, në kuadër të po këtij operacioni është ndaluar oficeri i policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj. Kjo çështje duhet t’i kalonte menjëherë SPAK, por oficeri është lënë i lirë duke e kaluar çështjen pranë Prokurorisë së Pukës, falë mbrojtjes politike që ai gëzon prej kushëririt të tij Fran Tuci, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit.

Ky operacion, i cili nuk është bërë ende publik nga Policia e Shtetit, dëshmon edhe njëherë se kanabisi është ende një çështje në duart e atyre që e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe se askush nuk ndalohet nëse pas rrënjëve të bimës narkotike shfaqen persona të lidhur me partinë-shtet.

Vendi ynë renditet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si i pari në Europë për prodhimin e kanabisit, pikërisht prej vullnetit politik që e kthen kanabisin në një ndërrmarrje të përbashkët midis krimit dhe partisë në pushtet, ndërsa policinë e shndërron në mbrojtëse të parcelave, apo siç dëshmon hetimi i Antimafies Italiane, duke i përdorur forcat e rendit si punëtorë krahu për ngarkimin e gomoneve me drogë. Prej vitesh Partia Demokratike ka denoncuar me fakte modelin e bashkëpunimit me krimin të ndërtuar nga Edi Rama.

Koha na ka dhënë gjithmonë të drejtë, prandaj nuk duhet pritur që detyrën e institucioneve shqiptare ta kryejnë partnerët ndërkombëtarë, por është detyra e SPAK të marrë në dorë këtë hetim të penguar nga partia në pushtet. Çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit kërkon një drejtësi reaguese, të gatshme t’u kthej besimin qytetarëve dhe policëve të ndershëm që pengohen në kryerjen e detyrës së tyre.

SHKARKO APP