PD rikthehet në Kuvend/ Soreca takim me Bashën: Opozita do të luaj një rol vendimtar
Në shtator PD, LSI-ja dhe aleatët e selisë blu do të rikthehen pas dy viteve në Kuvend. Ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ambasadorët e vendeve të tjera të unionit, zhvilluan sot një takim me kreun e PD-së, Lulzim Bashën, ku u diskutua në lidhje me legjislaturën e re parlamentare. Soreca nëpërmjet një postimi në Twitter, thotë se opozita do të luaj një rol vendimtar në legjislaturën e re.
“Bashkëbisedim i gjatë sot midis Shefave të Misioneve të Bashkimit Evropian dhe Kryetarit të PD, Lulzim Bashës në funksion të legjislaturës së re, ku opozita do të luajë një rol vendimtar”, shkruan Soreca.
Nga ana tjetër, ambasadori i BE bën me dije se u diskutua edhe në lidhje me situatën aktuale politike pas zgjedhjeve, integrimin në BE si dhe reformën në drejtësi. “Ne shkëmbyem mendime mbi situatën aktuale politike pas zgjedhjeve, integrimin në BE, mediat dhe reformën në drejtësi”.