PD rrezikon regjistrimin në zgjedhje, Bardhi sfidon KQZ: S’do ketë plotësim letrash! Reagon Edi Paloka
Edhe PD-ja e grupit të Alibeajt rrezikon të mos regjistrohet në KQZ për zgjedhjet lokale të 14 Majit, nëse vazhdon me këtë kryeneçsi e tangellëk. Gazment Bardhi ka kundërshtuar hapur vendimin e Ilirjan Celibashit për plotësim dokumentesh nga ana e PD-së, pasi për të janë të gjitha të dorëzuara.
“PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë”, shkruan Bardhi.
Celibashi e tha hapur se nuk do ta regjistrojë Partinë Demokratike nëse nuk ka plotësim dokumentesh. Pra, edhe Partia Demokratike e Lulzim Bashës rrezikon mos regjistrimin.
Kurse Edi Paloka e ka konsideruar pervers vendimin e KQZ që njohu si kryetar të PD-së Lulzim Bashën. Paloka thotë se sot Celibashi u soll si Edi Rama, jo pse njohu Bashën si kryetar, po se me një dëshirë perverse po kërkon ta poshtërojë deri në fund.
🇦🇱✌️PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë!
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) March 9, 2023