PD: Shkurtimet, Beqaj ‘fshesë’ ndaj personelit mjekësor
“Kampioni i korrupsionit, Ilir Beqa, po vazhdon fushatën e tij të spastrimit të infermierëve e personelit shëndetësor në rrethe, duke larguar nga puna dhjetra profesionistë që kanë një jetë në shërbim, thjesht e vetëm për të nxjerrë paratë që i duhet të ndajë për koncesionet qindra milionë euroshe të miqve të tij dhe të Edi Ramës”.
Kështu e ka nisur sot qëndrimin e saj Partia Demokratike, përmes nëndrejtorit të Departamentit të Shëndetësisë, Gazmend Koduzi, lidhur me shkurtimet më të fundit në bluzave të bardha, në rrethe.
Ku sipas tij, ato po bëhen pa transparencë dhe në mënyrë tinzare, por edhe pa asnjë studim, referencë apo analizë e konsultim.
“Dhjetëra infermierë dhe personel të hedhur në rrugë, nga veriu në jug.
30 janë larguar në Mirditë, 90 në Shkodër, 60 në Tepelenë, 49 në Pukë, 36 në Lushnje, 30 në Dibër, dhe priten këto ditë qindra largime të tjera në spialet e vendit.
Fshesa Beqaj, që ka vetëm një interes, sigurimin e parave për biznesin e tij dhe të Ramës në shëndetësi, jo vetëm po shkakton dramë sociale tek profesionistët që flaken në rrugë e tek familjet e tyre, por po degradon më tej gjendjen e spitaleve, duke e bërë të pamundur ofrimin e shërbimeve të specializuara.
Partia Demokratike i dënon me forcë këto masa skandaloze e korruptive.
Ne mbështesim protestën e infermierëve dhe personelit mjekësor dhe i bëjmë thirrje të ngrihen në rezistencë e të mos tërhiqen para kësaj padrejtësie e arrogance të dyshes Rama-Beqa.
Partia Demokratike i siguron këta profesionistë, infermierë, sanitarë e personel shërbimi mjekësor, se do të kthehen në detyrë, e do të rifitojnë dinjitetin e tyre, sapo qytetarët të na japin përgjegjësinë e drejtimit të vendit”, përfundon qëndrimi i PD-së.
KOHA JONË SONDAZH

