PD: Shumë pikëpyetje për matësat inteligjentë

“Matësat inteligjentë kërkojnë shumë investime, rezultojnë me kosto të mëdha, janë të manipulueshëm e të dëmshëm për shëndetin”.

Kështu ka reaguar sot selia e Partisë Demokratike, përmes Suzana Guxollit rreth projektit pilot të lançuar dje nga kryeministri Edi Rama.

Sipas saj, ai duhet të sqarojë qytetarët e vendit për kostot e mëdha, për gjithë këto pikëpyetje dhe më e rëndësishmja, nëse paratë për matësat inteligjentë do të dalin nga xhepat e shqiptarëve?

 “Pasi rriti çmimin e energjisë me 25 përqind, pasi detyroi 54 mijë qytetarë të paguanin fatura abuzive e me kamate, për një detyrim të shpallur të paligjshëm që në vitin 2011 nga ERE, pasi rifuti faturën famëkeqe aforfe, pasi solli errësirën dhe burgun për ata që skanë mundësi të paguajnë, pasi nuk mbajti asnjë premtim, papritmas Edi Rama lajmëron një gjëmë tjetër:

Matesat inteligjentë.

Projekti pilot parashikon 10 mijë matësa, që do ofrohen nga kompania partnere.

Ajo çfarë i shqetëson qytetarët e vendit, është pyetja, po 1 milionë matësa të tjerë, do të dhurohen, apo do të blihen nga qeveria?

Dhe sigurisht, nëse do të blihen, kush do t’i blejë, me paratë e kujt do të blihen. A do të blihen ato nga taksat e qytetarëve?

Qytetarëve do t’u shtohej një barrë e re, qindra milionë euro, sa është kostoja për matësat inteligjente.

Nëse këta matësa tmerrësisht të shtrenjtë, me çmim nga 350-600 euro, do të paguhen nga taksat e qytetarëve, ato do ta shtojnë më tej faturën tashmë të rritur të energjisë, si një harac i ri që duhet të paguajnë për Edi Ramën”, argumentoi ajo.

SHKARKO APP