PD: Të hetohet afera 500 mln euro, Rama-CEZ
Opozita është rikthyer çështjes CEZ, ku sot në një deklarate për meidat, njoftoi se ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për hetim parlamentar në lidhje me aferën Rama-CEZ. Nëpërmjet kësaj shkrese PD-ja kërkon ngritjen e një komisioni hetimor e kjo vjen pas dështimit për hetim ndërkombëtar, ku PD-ja pretendon se vendi dhe qytetarët janë dëmtuar, jo pak por me një barrë prej 500 milionë euro. Nëse do të pranohet ngritja e këtij komisione të drejtuar nga opozita, do të përbëhet nga 10-të anëtarë.
“500 milionë euro u plaçkitën, duke ia mohuar shtetit dhe qytetarëve e duke u ndarë në paktin kriminal të bërë nga kryeministri me kompaninë çeke. Janë 500 milionë euro detyrime të njohura e të pranuara që kompania kishte ndaj shtetit bashkë me shpërblimin që Rama i dha firmës çeke për prishjen e marrëveshjes. Janë 500 milionë euro që duhej ti shkonin qytetarëve në investime, në krijimin e vendeve të punës e në zbutjen e varfërisë. Por Edi Rama ia mohoi shqiptarëve për interesat e tij personale”, thekson kërkesa e PD-së.
”Partia Demokratike e denoncoi vjedhjen më të madhe të vendit, dhe u beri thirrje deputeteve të mazhorancës të mos e votonin në korrik të 2014 këtë aferë në parlament. Por me urdhrin e Ramës plaçkitja e 500 milionë eurove u zyrtarizua, madje ai u kujdes që autorët e krimit të kishin dhe imunitet e të mos hetohen nga prokuroria, e të kenë mundësi ai bashkë me ta të shijojnë parajsat fiskale. Partia Demokratike është e vendosur ta çojë deri në fund këtë çështje. Askush, asnjë nga autorët, me Edi Ramën në krye nuk do ti gëzojnë paratë që u kanë marrë shqiptarëve. Hetimi parlamentar është vetëm hapi i parë drejt zbardhjes së megaaferës Rama-Cez”, thuhet në shkresën dërguar kuvendit.
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

