PD tentoi të bllokojë ndërtimin e rr. “Xhon Belushi”, Veliaj: Kur afron fushata, dalin ”kllounët” dhe shpifin
Në një intervistë për ”News 24”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet edhe lidhur me përpjekjen e deputetëve të PD-së, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, për të bllokuar punimet në rr. “Xhon Belushi”, për të cilët kryebashkiaku tha se janë të njëjtët personazhe që kanë bllokuar edhe punë të tjera në qytet.
“Është e njëjta zonjë e cila i ka humbur të gjitha betejat me mua për shpifje. Me paratë e gjyqeve ku zonja Vokshi është dënuar si shpifëse profesioniste janë blerë dhjetëra kompjutera për shkollat e Tiranës. Zotëria tjetër, Strazimiri, mbahet mend tërë jetën e tij, edhe kur të dalë në pension, si njeriu që donte të prishte këndin e lodrave të fëmijëve, madje mori edhe pistoletën të protestonte kundër fëmijëve. Ja ku është këndi i lojrave sot! Thirrja për të gjithë qytetarët është: Kujtoni atë shprehjen amerikane: kur vjen cirku në fshat, dalin të gjithë kllounët që ta përshëndesin. Ardhja e fushatës është paksa si cirku në fshat dhe lloj-lloj kllouni, i çdo lloji partie, del që të përshëndesë cirkun dhe shpifin”, u shpreh Veliaj.
Veliaj tha se opozita e ka mendjen te dhuna dhe pengesa e punëve të mira, ashtu siç bëjnë gjithmonë me projektet në Tiranë.
“Dje ka qenë përvjetori i djegies së selisë së PD, ku dhanë shembullin më të rëndomtë të politikës në 30 vitet e fundit, se si një parti është gati të djegë shtëpinë e saj për pushtet dhe për disa vota. Dje ka qenë një përvjetor shumë i vështirë për ta, ndaj është dashur të merren me një rrugë periferike të Tiranës. Zonja e shpjegoi me fjalët e veta: I referohet datës 19 dhjetor. Ne sot kemi mbaruar javën e parë të janarit, jemi në 9 janar. Për të gjithë këto arsye, në 19 dhjetor, ajo që ka parë zonja, kanë qenë projektet e vitit të kaluar, ndërkohë siç ndodh rëndom, në qindra rrugë të Bashkisë, Bashkia ka edhe një ndërmarrje vetë. Zonja do ketë shumë punë këtë vit sepse ne do bëjmë qindra rrugë të tilla. Ky do jetë viti i ndërhyrjeve kapilare”, sqaroi Veliaj.