PD: Urdhëri për drejtorët, urdhër për manipulim të zgjedhjeve
"Kryeministri Rama është kapur dhe një herë në flagrancë duke shkelur ligjin. Një tjetër skandal i është shtuar vargut të gjatë të skandaleve të dyshes Rama-Meta që prej dy vjetësh po sundojnë shqiptarët duke dhunuar hapur të drejtat e tyre nëpërmjet shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës".
Kështu deklaroi sot kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, sipas të cilit, çdo drejtor jo vetëm duhet të marrë nën përgjegjësi disa qendra votimi, por nën përgjegjësinë e tij personale duhet të deklarojë ”me letër”- siç urdhëron Rama, se sa vota gjenden për maxhorancën në secilën kuti.
"Në një material të bërë publik dje, kryeministri Rama, gjatë një takimi me struktura të Partisë Socialiste dhe drejtues të administratës shtetërore, urdhëron qartazi angazhimin e drejtorëve të administratës në marrjen e votave për kandidatët e maxhorancës parlamentare.
Ky është një skandal që tregon qartazi se sa keq janë zhytur në llumin e antiligjit kryeministri dhe i dyti i tij Meta. Edhe vetë reagimet e këtyre të dyve pas denoncimit të skandalit, tregojnë qartazi jo vetëm implikimin e tyre në këtë aferë të ndyrë por edhe tentativat e dështuara për të fshehur të vërtetën", tha gjithashtu ai.