PD: Vdekja e 17 vjeçarit, Rama të dorëzojë kreun e PS së Peqinit
PD ka akuzuar sot Kryeministrin Rama, i cili sipas selisë blu po mban kreun e PS-së së Peqinit, të fshehur kur ai është i kërkuar për vdekjen e adoleshentit 17 vjeçar te landfilli i Tiranës.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp të deputetes Mimoza Hajdarmataj, opozita shton se Edurim Teqja ka një të kaluar të mbushur me precedentë penalë.
Më tej deputetja shton se pas ngjarjes së rëndë kur duhej të përgjigjej para drejtësisë, kreu socialist i Peqinit dhe partneri i Erion Veliajt ka mbrojtjen e Edi Ramës dhe i fshihet ligjit, ndërsa garanton se, do të ketë drejtësi për Arditin e çdokush që është përgjegjës në mos sot, nesër do përgjigjet para ligjit.
Deklaratë e deputetes së PD, Mimoza Hajdarmataj
Edurim Teqja, është shpallur në kërkim pas vdekjes së Arditit 17 vjeç në landfillin e Sharrës, dhe prej një jave ai i shmanget ligjit me ndihmën dhe mbështetjen e Edi Ramës.
Ky personazh, me të kaluar kriminale, me ekspuls në Itali për vepra të ndryshme, i dënuar në vitin 86 për vjedhjen e Mapo-s në Peqin, ishte zgjedhja e Edi Ramës për ta vënë në krye të partisë në Peqin dhe në krye të OSHEE-së atje njekohësisht.
Po ky person, sot në arrati, ishte zgjedhja e Erion Veliajt për aferën e errët të biznesit të paligjshëm dhe korruptiv me mbetjet në Sharrë, ku humbi jetën Arditi.
Sot pas ngjarjes së rëndë kur duhej të përgjigjej para drejtësisë, kreu socialist i Peqinit dhe partneri i Veliajt ka mbrojtjen e Edi Ramës dhe i fshihet ligjit.
Ky akt i rëndë e bën atë të dyshuar në vdekjen e Arditit dhe Edi Ramën e nxjerr si gjithnjë mbrojtes të krimit dhe banditëve me të cilët ndan pushtetin e paratë e shqiptarëve.
Partia Demokratike e siguron Ramën dhe të fshehurin e tij se do të ketë drejtësi për Arditin e çdokush që është përgjegjës në mos sot, nesër do përgjigjet para ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

