PD: Vetëm zgjedhjet e parakohshme mund të zgjidhin krizën politike. Shqiptarët duan ndryshim

Partia Demokratike ka mbështetur sot qëndrimin e Këshillit të Europës, që i cilësoi zgjedhjet e 30 qershorit si jo demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi deklaroi se manipulimi dhe proceset farsë zgjedhore janë konfirmuar si të papranueshme nga gjithë ndërkombëtarët.

Në emër të Partisë Demokratike, përshëndes qendrimin e Këshillit të Europës në mbrojtje të lirisë së votës, si një nga vlerat themelore demokratike, mbi të cilat funksionojnë shoqëritë europiane. Këshilli i Europës, pas misionit të fundit faktmbledhës ka vlerësuar se “Për fat të keq, votimet e 30 qershorit nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri. Ato kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi”,- deklaroi Gazmend Bardhi.

Sipas tij, mungesa e zgjedhjeve demokratike qëndron në themel të krizës në të cilën ndodhet vendi. Bardhi tha se vetëm zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme, mund të garantojnë normalitet politik dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Sekretari i PD-së u shpreh se shqiptarët duan ndryshim dhe kryeministri Edi Rama ka detyrë zgjidhjen e krizës duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Në vend që të harxhojë kohë, duke bërë sikur po zgjidh krizën e Ukrainës dhe se ka në dorë fatin e Europës, Edi Rama është përgjegjës të zgjidhë krizën e rëndë politike në vendin e tij, të shkaktuar prej vjedhjes që ai i bëri zgjedhjeve bashkë me bandat më të rrezikshme.  Duke zvarritur zgjidhjen e krizës politike, Edi Rama vetëm sa zgjat agoninë e tij, pasi fundi politik i kryeministrit të votave të vjedhura është i parathënë në çdo sondazh.  Shumica e shqiptarëve duan ndryshimin!”,- deklaroi Gazmend Bardhi.

 

 

SHKARKO APP