PD: Vetingu nis me kapjen e sistemit, Edi Rama prenoton 25 vende në prokurori e gjykata
Sot, është dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe që sot Edi Rama ka bërë hapin e parë konkret e të dukshëm të kapjes së sistemit të drejtësisë. është ky vlerësimi i Partisë Demokratike , e cila përmes kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Enkelejd Alibeaj deklaron se ligji i Vetingut, ndër të tjera ka parashikuar ne nenin 68 pika 2 se Shkolla e magjistraturës ngarkohet të organizojë një konkurs jashtë radhe për 25 kandidatë, gjyqtarë dhe prokurorë.
Sipas këtij ligji, dhe ligjit ekzistues për Shkollën e Magjistraturës, faza e parë e një konkursi të tillë është hapja e procedures së pritjes së kërkesave të gjithë të diplomuarve, brenda ose jashtë vendit, që janë të interesuar dhe kanë dëshirë të marrin pjesë. Kjo periudhë e pritjes së aplikimeve, sipas traditës pothuajse 20 vjeçare ka qënë bërë transparente për publikun, ne median e shkruar dhe atë elektronike, e ka zgjatur jo më pak se 1 muaj. Të interesuarit gjatë kësaj kohe njiheshin me vendet vakante, plotësonin dokumentacionin dhe dorëzonin kërkesat dhe lista e aplikuesve publikohej. Më pas, procedohej me konkursin e testimit të njohurive.
Ndryshe nga kjo praktikë, “pikërisht sot, media njofton se Shkolla e Magjistratures organizon konkursin e pranimit. Pa shpallur paraprakisht dhe publikisht se një konkurs do të zhvillohej. Pa shpallur vendet sipas preferencës në profilin prokuror apo gjyqtar, pa bërë ndarjen e tyre, pa shpallur procesin e thirrjes për aplikime për cdo të interesuar, pa iu dhënë mundësinë të diplomuarve të paraqesin kërkese. Kjo sepse, ligji vetëm sot ka hyrë në fuqi, dhe se nga sot e tutje duhet të zhvilloheshin këto procedura paraprake”- u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, listat e aplikantëve askush nuk i ka parë, askush nuk është në dijeni për mënyrën se si ata janë përzgjedhur. “Çdo gjë është bërë në terr. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit, sepse, çdo veprim qoftë edhe okult i mbledhjes së aplikimeve, përpilimit të listave, përzgjedhjes së aplikantëve dhe ftesës për të marrë pjesë në konkurs, nëse është bërë, është bërë para datës 10 tetor 2016. Dhe nëse është bërë para datës 10 tetor 2016, është tërësisht i paligjshëm. Ligji ka hyrë në fuqi vetëm sot. Dhe nga sot lind e drejta dhe detyrimi i këtij organi të procedojë me pritjen e kërkesave për periudhë kohe të arsyeshme, të presë plotësimin e dokumenteve individuale, të përpilojë listat e më pas të organizojë konkursin, duke mos ia mohuar askujt të drejtën për të marrë pjesë.
Organizimi i konkursit sot, pervecse është një shkelje flagrante e ligjit për Shkollen e Magjistratures, të ligjit të sapo miratuar të Vetting-ut, është hapi i parë dhe konkret i kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Plani i kapjes së sistemit të drejtësisë filloi me kapjen politike të Shkolles së Magjistratures në vitin 2014, dhe sot po materializohet me hapin e radhës: 25 individë të perzgjedhur në terr, pa transparencë por me shumë gjasë sipas prirjeve politike, pritet të jene gjyqtaret dhe prokuroret e nesërm.
Hapi i sotëm është rrënimi përfundimtar i çdo përpjekjeje për pavarësi dhe moskapje politike të sistemit të drejtësisë”- deklaroi Enkelejd Alibeaj.
KOHA JONË SONDAZH

